Zëvendëssekretarja e përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska për portalin Racin.mk thotë se sot Maqedonia e Veriut është eksportuese e sigurisë në rajon dhe më gjerë, në një kohë kur disa aktorë duan ta kthejnë kohën pas.
Ajo thekson se në një botë gjithnjë e më të rrezikshme, NATO është vigjilente dhe forcat aleate në Evropë po e përshtatin dhe do të vazhdojnë ta përshtatin vendosjen e forcave sa herë që është e nevojshme për të garantuar sigurinë e të gjithë aleatëve.
“Të jesh pjesë e NATO-s do të thotë që Maqedonia e Veriut ka 31 miq dhe aleatë pranë vetes për ta mbajtur të sigurt në një botë gjithnjë e më të rrezikshme. Askush nuk është i vetëm në NATO. Anëtarësimi sjell përfitime konkrete për sigurinë tonë çdo ditë; për shembull, avionë luftarakë grekë dhe italianë patrullojnë për të mbajtur të sigurt hapësirën ajrore dhe popullsinë e vendit.
Të jesh aleat i NATO-s nënkupton edhe kontribut në sigurinë euroatlantike. Ushtarët tanë shërbejnë në forcat tokësore të përparuara të NATO-s në Bullgari dhe Letoni, dhe vazhdojmë të luajmë rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, me 70 ushtarë që shërbejnë në KFOR, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë. Maqedonia e Veriut tani është eksportuese e sigurisë. KFOR-i është faktor kyç për stabilitetin rajonal, duke ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë, nën mandat afatgjatë të OKB-së. Maqedonia e Veriut ka ndarë më shumë se 2% të PBB-së për mbrojtje në vitin 2025, ndërsa aleatët duhet të vazhdojnë drejt një rruge të qartë për të arritur 5% të shpenzimeve për mbrojtje deri në vitin 2035, siç u dakordua në Samitin e NATO-s në Hagë. Duhet të investojmë më shumë për të siguruar që mund të vazhdojmë të parandalojmë dhe mbrohemi nga ata që duan të na dëmtojnë. Gjatë vizitës së tij në Maqedoni, sekretari i përgjithshëm Rutte falënderoi vendin tonë për mbështetjen e fortë ndaj Ukrainës, ndërsa ajo vazhdon të mbrohet nga agresioni rus. Kjo mbështetje bën dallimin. Maqedonia e Veriut tani është eksportuese e sigurisë”, tha Shekerinska.
Shekerinska foli dhe mbi planet që ka NATO për rajonin në rast përshkallëzimi?
“Qëndrimi i NATO-s për parandalim dhe mbrojtje mbetet i fortë në të gjitha dimensionet, përfshirë mbrojtjen ajrore dhe raketore. Me sukses kemi interceptuar raketa balistike që drejtoheshin nga Irani drejt Turqisë në katër raste të ndara. Forcat tona mbeten vigjilente, ndërsa komandanti suprem i forcave aleate në Evropë vazhdon të përshtatë vendosjen e tyre sa herë që është e nevojshme për sigurinë e aleatëve. Situata në Lindjen e Mesme ndiqet me kujdes, ndërsa NATO është në kontakt të vazhdueshëm me liderët aleatë dhe partnerët rajonalë. Që nga vitet 1990, NATO ka mbështetur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Rajoni mbetet me rëndësi strategjike. Ka aktorë që duan ta kthejnë kohën pas dhe të zhbëjnë progresin e arritur, por paqja nuk duhet të vihet në rrezik”, u shpreh Shekerinska.




