
Lideri i BDI-së, Ali Ahemti sot ka dërguar një letër të hapur për opinioni lidhur me Ligjin për përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, shkruan Telegrafi Maqedoni.
Ahmeti thotë se themelet e shtetit të Maqedonisë janë vënë mbi bazën e Marrëveshjes së Ohrit.
Ai shkruan se për të barazia kurrë nuk ka qenë slogan, por bindje.
Ahmeti hedhë poshtë mundësinë rreth negocimit të statusit të gjuhës shqipe në vend.
“Gjuha shqipe për mua nuk është dhe nuk do të jetë kurrë çështje negocimi. E kam thënë dhe do ta përsëris pa asnjë rezervë: Marrëveshja e Ohrit është themel i këtij shteti dhe kush e vë në pikëpyetje atë, vë në pikëpyetje vetë të ardhmen e tij. Shqipja nuk është privilegj, por e drejtë e fituar dhe e garantuar me Kushtetutë. Çdo tentativë për ta relativizuar apo kufizuar këtë të drejtë është një përballje e drejtpërdrejtë me rendin kushtetues dhe nuk do të kalojë pa përgjigje.
Shqiptarët në këtë vend nuk e kanë kontestuar asnjëherë gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas; përkundrazi, janë përcaktuar vazhdimisht për një Maqedoni të përbashkët, unitare, euroatlantike dhe evropiane. Kjo është e vërteta që duhet thënë qartë: barazia e shqiptarëve nuk e ka dobësuar shtetin, por e ka forcuar atë. Nuk e ka cenuar bashkëjetesën, por e ka bërë më të drejtë. Nuk e ka lëkundur orientimin perëndimor të vendit, por e ka bërë të mundur”, shkruan Ahmeti.
Ahmeti thekson se Komisioni i Venedikut nuk ka konstatuar se ligji për përdorimin e gjuhëve është në kundërshtim me Kushtetutën apo me standardet ndërkombëtare.
“Me shqetësim po ndiqen edhe qasje të caktuara institucionale, e veçanërisht në Gjykatën Kushtetuese, që krijojnë bindjen e palëkundur se në çështje të ndjeshme për marrëdhëniet ndëretnike nuk mbizotëron argumenti profesional e kushtetues, por një mendësi majorizuese etnike, e tejkaluar nga koha dhe e papajtueshme me frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo është arsye për kujdes serioz shtetëror. Sepse institucionet, sidomos ato kushtetuese, duhet të jenë gardiane të barazisë, jo hapësira ku vihet në pikëpyetje ajo që është fituar si standard i bashkëjetesës demokratike.
Edhe kur flitet për vlerësimet e Komisionit të Venedikut, duhet thënë e vërteta e plotë dhe jo ajo pjesë që i shërben një narrative politike. Komisioni nuk ka konstatuar se ligji për përdorimin e gjuhëve është në kundërshtim me Kushtetutën apo me standardet ndërkombëtare. Por vlerësimet për zbatimin praktik kanë të bëjnë me nevojën për kapacitete, organizim administrativ dhe mbështetje financiare. Këto janë detyra të institucioneve përkatëse. Në asnjë demokraci serioze, siç thekson edhe vetë Komisioni i Venedikut, vështirësitë e zbatimit nuk përdoren si argument për të delegjitimuar vetë parimin e sundimit të së drejtës”, shton Ahmeti.
Ahmeti kërkon që Gjykata Kushtetuese të heqë dorë nga të qenurit institucion parapolitik dhe instrument i agjendave destabilizuese, duke rrënuar rendin kushtetues dhe barazinë në vend./Telegrafi/








