
Profesoresha Linda Ziberi është e ftuara e radhës në emisionit PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilën kemi diskutuar për arsimin në përgjithësi, inteligjencën artificiale, si dhe dallimin në mes studentëve në universitetet shqip dhe atyre në vendet e jashtme.
Diskutimin e filluam për propozim-ligjin e ri për arsim të lartë në Maqedoninë e Veriut, i cili së fundmi është në procedurë për t’u miratuar, për të cilin profesoresha Ziberi tha se ka shumë hapësirë për dyshime.
– YouTube Prodhim i Telegrafi Maqedoni Bejeni #Subscribe kanalin tonë në YouTube për më shumë video. Detajet: …
Ajo theksoi se vet propozuesit e këtij ligji, Qeveria dhe Ministria e Arsimit, kanë kontribuar që të ketë dyshime në opinion për këtë ligj, duke mos publikuar emrat e hartuesve të ligjit.
“E kam lexuar propozim-ligjin dhe prej asaj që kam parë, në një aspekt është mirë që bëhen reforma. Unë jam për reforma. Universiteteve në Maqedoni u duhet transformim substancial, por mënyra se si është dizajnuar ky ligj ka lënë shumë për të debatuar, që nuk është mirë për vet qeverinë dhe ministrinë që e propozon këtë ligj. Një gjë që është problematike, është se sa në mënyrë demokratike është miratuar ky ligj. Deklarata e vet ministres që e dha vendosi shumë dyshim, e cila nuk tregoi emrat e profesorëve që kanë marrë pjesë në përpilimin e ligjit. Kjo është problematike, nuk dihet nëse kanë marrë pjesë studentë. Dhe çështja tjetër që është diskutabile është publikimi i punimeve nga hulumtuesit e rinj. Kjo e çon punën e profesorëve drejt sasisë, e jo cilësisë. Universitetet duhet të jenë rol, e jo të fokusohen vetëm te numrat”, tha profesoresha Ziberi.
Në lidhje me stilin e mësimdhënies së saj, e cila më shumë fokusohet në interaktivitet dhe punë ekipore, ajo tha se në ditët e sotme është e rëndësishme që të ketë më shumë mësimdhënie praktike tek studentët.
“Puna ekipore, puna me projekte, bashkëpunimi me organizata, institucione, bërja e projekteve reale, mendoj se janë të rëndësishme tani. Kam pasur fatin pasi shkollimin që e kam bërë në SHBA, kanë qenë universitete shumë aplikative. Pastaj në doktoraturë jam fokusuar në kritikë, kemi lexuar filozof të mëdhenj. Këta përvoja më kanë dhënë pikëpamje tjetër. Pastaj edhe përvoja në Finlandë – dhe jam munduar që të njëjtat t’i zbatoj edhe tek studentët dhe mësimdhënia. Unë zakonisht iu kërkoj falje studentëve kur ligjëroj më shumë se 20-25 minuta. Veten nuk e konsideroj si dhënëse të informatave. Nuk besoj se do të kisha punuar si profesoreshë nëse jam vetëm si informatë-dhënëse. Rolin e mësimdhënësit e shoh te ajo si udhërrëfyes”, tha Ziberi.
Ndërsa sa i përket inteligjencës artificiale dhe arsimit, ajo tha se IA mund të jetë shumë e dobishme, por duhet të ketë kontroll dhe studentët të kenë parasysh dobësitë që ajo ka.
“Ka shumë sfida për AI në aspektin e plagjiaturës, shkrimit, unë është dashur të bëjë shumë ndryshime te klasat e mia, pasi studentët e mi janë te pjesa e shkrimit. Unë jam entuziaste për IA. Në aspektin e mundësive që i jep, posaçërisht në vendet e Ballkanit, ku kemi mungesë të bibliotekave, ka shumë potencial. Mirëpo duhet të kontrollohet, duhet të dihen qartë problemet që i paraqet IA, sidomos ato etike”, tha Ziberi.





