
LSDM sot njofton se DEA amerikane ka filluar një hetim lidhur me kapjen e pesë tonëve drogë në Serbi, origjina e të cilës ishte në Maqedoni.
“LSDM ka paralajmëruar prej ditësh për ngjarjet e fundit që lidhen me sekuestrimin më të madh të marijuanës në rajon: 5 ton drogë në Serbinë fqinje, e cila e ka origjinën në Maqedoni. Ky është një skandal me përmasa të mëdha që zbulon kriminalitetin e thellë të qeverisë aktuale të udhëhequr nga OBRM-PDUKM dhe Hristijan Mickoski”, tha Aleksandar Sasha Dimitrijeviq, Sekretar i Përgjithshëm i LSDM-së, në konferencën e sotme për shtyp.
Ai theksoi se, sipas informacioneve jozyrtare nga mediat në Serbi, zyrat e prokurorëve në Serbi dhe Maqedoni kanë marrë të dhëna kyçe nga Agjencia Amerikane e Zbatimit të Ligjit kundër Drogave, DEA, gjë që e rrit më tej seriozitetin e çështjes.
“Për shkak të këtij bashkëpunimi ndërkombëtar, kryeministri Mickoski nuk ka pasur një përgjigje për pyetjen kryesore për një javë: si arritën 5 ton marihuanë të kalonin kufirin, të dilnin nga Maqedonia dhe të hynin në Serbi? Kjo heshtje nuk është e rastësishme, por një tregues se ka të vërteta në pretendime.
Faktet tregojnë se pa mbështetjen e strukturave qeveritare, MPB, doganave dhe institucioneve të tjera, një operacion kaq i madh kontrabande do të ishte i pamundur. Kjo është arsyeja pse ka panik në qeveri. Në vend që të përballen me faktet, ata po zhvillojnë një fushatë mediatike për të shpërqendruar publikun nga sasitë e mëdha të drogës së sekuestruar”, tha Dimitrijeviq./Telegrafi/





