
Qeveria do të duhet të sigurojë afërsisht 50 milionë euro për kthimin e taksës solidare tek kompanitë. Para mbledhjes së nesërme, Qeveria nuk tregon se si do t’i sigurojë këto mjete.
Ekspertët paralajmërojnë se bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme, për të cilën do ta ketë të vështirë shtetit ta përmbushë obligimin.
Ekonomistët thonë se shteti ka dy opsione për të kthyer mjetet nga tatimi solidar: t’i ulë shpenzimet dhe investimet dhe t’i reduktojë subvencionet për studentët dhe bujqit, ose të marrë borxh të ri për t’i kompensuar gradualisht bizneset.
Qeveria do të duhet t’u kthejë rreth 50 milionë euro 156 kompanive pas shfuqizimit të tatimit solidar. Edhe pse disa nga kompanitë kanë hequr dorë nga interesat, asnjëra nuk ka hequr dorë nga shuma kryesore. Mjetet duhet të planifikohen në buxhet për vitet 2026 dhe 2027.
Gjykata Kushtetuese e shpalli tatimin si të paligjshëm, duke lënë të drejtën kompanive që të kërkojnë shumën e paguar brenda pesë viteve./Alsat/





