
2 persona humbën jetën dhe 10 të tjerë u plagosën në një përplasje të ashpër me armë mes dy fiseve të shtunën në fshatin grek Vorizia të Kretës. Njëra nga viktimat është një grua 56-vjeçare ndërsa viktima tjetër është një 39-vjeçar. Të hënën do të varroset njëra nga viktimat ndaj policia është në gatishmëri të lartë.
Shkollat do të mbeten të mbyllura për shkak të frikës se fëmijët mund të jenë në rrezik. “Pajtuesit” që tradicionalisht kanë marrë fjalën në të tilla raste, për momentin po qëndrojnë në heshtje në këtë cikël dhune që filloi me vendosjen e një pajisjeje shpërthyese dhe vazhdoi me gjakderdhjen e së shtunës.
Tragjedia e re në Vorizia erdhi për atë që shpesh e quajmë “për motive banale”, siç ka ndodhur me raste të panumërta të hakmarrjeve në Kretë. Ndoshta më karakteristik është rasti i fshatit Aradena, në Sfakia, i cili hyri në një cikël të përgjakshëm në fund të viteve 1940 për shkak të ziles së një dhie që një fëmijë gjeti në rrugë. Ai refuzoi t’ia kthente atë pronarit të kafshës, i cili nga ana tjetër kërkoi shpjegim nga familja e fëmijës. Kështu filloi një hakmarrje e egër me të paktën 7 të vrarë dhe një fshat që mbetet i rrënuar edhe sot.
Nga ky rast specifik nuk ka shumë detaje. Megjithatë, ka shumë histori që përshkruajnë absurditetin e hakmarrjes që ka kushtuar dhjetëra jetë gjatë shekujve. Aradena, i cili mbeti një fshat fantazmë është një nga më karakteristikët.
Herën e fundit që Kreta kishte pasur frikë se hakmarrja do të rikthehej ishte në maj 2023 kur anëtarë të dy familjeve të mëdha të Anogisë, Xylouris dhe Kalomiri vranë njëri – tjetrin.
Giorgos Xylouris u vra nga Manolis Kalomiris, pasi më parë ai kishte vrarë babanë e tij, Lefteris Kalomiri. Grindja e tyre kishte kaluar nën radarin e “pajtuesve”, ndërmjetësve, të cilët dekadat e fundit kanë luajtur një rol katalizues në uljen e hakmarrjeve si fenomen. Megjithatë, mënyra se si vepruan dhe folën dy familjet së fundmi tregonte se “vetëgjyqësia” do të merrte fjalën, siç edhe ndodhi.
Pothuajse çdo krim në Kretë gjeneron ankthin se ka të ngjarë të pasohet nga të tjerë. Rasti i gjakmarrjes, vrasjes për hakmarrje në ishullin grek (fjala gjakmarrje vjen nga latinishtja vendeco, që do të thotë hakmerrem), vjen nga thellësitë e kohës. Me të njëjtat rregulla dhe kode ose pak të modifikuara, ajo gjendet edhe në zona të tjera të Greqisë, si në Mani, por edhe në Mesdhe, si në Siçili, por edhe në Shqipëri, ku “gjakmarrja” arrin deri në ditët e sotme si detyrimi që “gjaku të paguhet me gjak”.
Këmisha të zeza dhe mjekra të egra
Hakmarrja nuk njeh kohë. “Shkelësi” mund të ndëshkohet edhe pas dekadash nga akti i tij. Megjithatë, ajo që thuhet drejtpërdrejt është kërkesa për hakmarrje.
Me këtë logjikë, burrat e familjes së personit që kishin “të drejtë të hakmerreshin” vishnin këmisha të zeza, i linin mjekrat e parruara, pleqtë madje i lyenin bastunët (shkopinjtë) e tyre me të zezë, madje edhe dyert e shtëpive të tyre. Shënjestër e hakmarrjes nuk ishin kurrë gratë dhe fëmijët apo anëtarët e dobët në përgjithësi, por gjithmonë më të mirët e familjes dhe kjo bëhej qëllimi i jetës.
Megjithatë, hakmarrja e fundit nuk filloi domosdoshmërisht me një vrasje. Në verën e vitit 1950, nga frika e gjakderdhjes midis këtyre dy familjeve të mëdha, në Kretë u shpall gjendja ushtarake, dhe e gjithë kjo për shkak të një “rrëmbimi”, i vetmi “rrëmbim” që banorët e Anogisë “lejojnë” ende sot, rrëmbimi i një gruaje me qëllim martese.
Në atë kohë, ishte Kostas Kefalogiannis apo Koundokostas nga Anogia, vëllai i deputetit të Partisë Popullore Manolis Kefalogiannis, një hero i Rezistencës, i cili rrëmbeu Tasulën, vajzën e deputetit liberal Giorgis Petrakogiorgis, në Heraklion. Zemërimi i babait të vajzës ishte i tillë që Kreta të kërcënohej nga një konflikt i madh.
Rrëmbimi i Tasulës u bë një çështje e madhe politike, duke bërë që qeveria e Sofokles Venizelos të shkojë aq larg sa të vendosë gjendjen ushtarake, pezulloi vlefshmërinë e 9 neneve të Kushtetutës, ndaloi trafikun në Anogia, vendosi censurë dhe autoritetet lokale i dhanë një dënim rrëmbyesit si bandit. Çështja përfshinte të gjithë, që nga Kryepeshkopi i atëhershëm deri te oficeri dhe shkrimtari anglez Patrick Lee Fermor, i cili i njihte dy familjet nga aktivitetet e tij në Kretë, dhe veçanërisht nga rrëmbimi i Gjeneral Kraipe.
Përplasja midis familjeve Sartzeti (Sartzetaki) dhe Pentaris (Pentaris), dy nga familjet më të mëdha në Hania, është regjistruar si ajo që numëroi më shumë viktima, pasi jetët e humbura nga viti 1941 deri në vitin 1985, kur ajo përfundoi zyrtarisht, arrijnë në 110. Ka raportime se numri i vërtetë i viktimave tejkalon 140, madje edhe djem të mitur. Gjakmarrja u qetësua, por në thelb përfundoi me zgjedhjen e Christos Sartzetakis në detyrën e Presidentit të Republikës në vitin 1985, kur deputeti i PASOK-ut Vangelis Pentaris votoi për të.
Gjakmarrja nuk njeh kohë, nuk njeh vend. Përplasja Mouzourakis-Dikonymakis është ndoshta gjakmarrja e fundit me të gjitha “tipiket” e vrasjeve për hakmarrje dhe la pas 6 të vdekur dhe një fshat të shkretuar. Ajo ka dhe një përjashtim: filloi me vrasjen e një gruaje.
Fotoula Mouzouraki ishte e ve dhe po rriste e vetme 3 djem dhe një vajzë. Disa gjëra të parëndësishme e vunë atë në shënjestër të familjes së Manolis Dikonymakis. Djali 25-vjeçar i këtij të fundit, Michalis, së bashku me mikun e tij 29-vjeçar, Nikos Polakis, më 23 maj 1994 ndaluan kamionin bujqësor që Fotoula po drejtonte, e lidhën, e abuzuan seksualisht dhe në fund e mbytën.
Brenda më pak se një muaji, të dy autorët u arrestuan. Dikonymakis kishte arritur të ikte në Athinë. Në lumin e dhunës që sapo ishte hapur, gjaku i 24-vjeçarit Kostas Mouzourakis, djali i Fotoulës, u derdh më 16 gusht të të njëjtit vit. Ai u gjet i vdekur me dy plumba në gjoks nga dora e Evangelos Selianakis, një banor i Rethymno. Shkak ishin mosmarrëveshjet për tokën.
Dënimi me vdekje kishte filluar të bëhej i shpejtë. Djali i Fotoulës, Giannis, në moshën 26 vjeç, mbërrin në Amaliada me dy nga miqtë e tij. Atje ai ka gjetur 54-vjeçarin Manolis Dikonymakis. Ai ishte babai i vrasësit të nënës së tij. Më 10 nëntor 1994, para ceremonisë përkujtimore 6-mujore për Fotoulën, Manolis Dikonymakis bie i vdekur në duart e të birit të saj.
Masakra familjare vazhdon. 27-vjeçari Sifis Dikonymakis, vëllai i Michalis dhe djali i Manolis ishte strehuar në Mytilene me familjen e tij. Më 13 dhjetor 1994, ai gjendet i vdekur me një plumb në gjoks. Vetëm disa muaj paqësorë kalojnë, derisa në shtator të vitit 1995, fermeri 23-vjeçar Vangelis Selianakis vritet me një pushkë gjuetie. Viktima ishte nipi i Evangelos Selianakis, i cili kishte vrarë Kostas Mouzourakis 13 muaj më parë.
Hakmarrja ishte përhapur tashmë nga Kreta në Ilia dhe Mytilene. Në anonimatin e Athinës, Yiannis Mouzourakis kishte zgjedhur të zhdukej pas hakmarrjes për vrasjen e nënës së tij. Edhe pse jetonte me identitet të rremë, ai u gjet nga ndjekësit e tij në prag të ditëlindjes në vitin 1999. Ai ishte larguar nga shtëpia e të afërmve të tij dhe po kthehej në të vetën kur u qëllua nga dy persona të armatosur që i kishin ngritur pritë nga një ndërtesë në “Rrugën Kennedy” në Peristeri.
Pranë trupit të tij të pajetë u gjet Magnum që kishte me vete, të cilin nuk pati kohë ta përdorte. Vrasja e Yannis Mouzourakis iu atribua Evangelos Selianakis. Pas vrasjes së Kostas Mouzourakis, ai kishte tentuar të ikte në Kanada, por u arrestua. Pak kohë më vonë, ai u arratis nga burgu së bashku me të dënuar të tjerë. Ai u gjet i vdekur në janar 2011 në Rethymno.
“E bëra detyrën time dhe tani jam mirë. Jam i lirë”. Ishte 20 dhjetori i vitit 1988, kur vendi ngriu nga tingulli i pushkës së Giannis Papadosifos. Ishte një armë “Luger” që babai i tij ia kishte sekuestruar një ushtari gjerman. Papadosifos kishte zgjedhur Gjykatën e Apelit të Pireut për të bërë “drejtësi”, siç e perceptonte ai, për vrasjen e fëmijës së tij.
Në sallën e gjyqit plot me kretanë të veshur me të zeza, binte në sy Giannis Papadosifos. Mjekra e tij kishte qenë e parruar që nga momenti kur Giannis Venierakis, në gusht 1983, vrau djalin e tij në Rethymno.

Manolis Papadosifos ishte i arsimuar, me 3 gjuhë të huaj dhe studiues në muzikë. Ai u grind me Giannis Venierakis për një grua që të dy e pretendonin. Venierakis e zgjidhi mosmarrëveshjen e tij duke vrarë Manolisin.
Baba i Papadosifos kishte dhënë të gjitha shenjat se sipas mendimit të tij, gjaku duhej të paguhej me gjak. Ai ishte veshur me të zeza, e la mjekrën të parruar. Në gjyq, në dhjetor 1988 – gjyqi u mbajt në Pire dhe jo në Kretë për arsye sigurie – prania e policisë ishte shumë e fortë.
Gjatë procedurave të asaj dite, kretasi i zymtë, i veshur me të zeza, kishte hyrë dhe dalë nga salla e gjyqit të paktën 2 herë. Ai ishte kontrolluar nga policia dhe nuk kishte armë me vete. Herën e tretë dhe të katërt që ai hyri përsëri në sallën e gjyqit, policia nuk e kontrolloi përsëri ose e bëri këtë në mënyrë të pamjaftueshme. Pas mjekrës së tij të gjatë dhe brenda këmishës, ai kishte arritur ta fshihte “Luger”-in. Me shkathtësinë e një adoleshenti, ai arriti të shkonte pas të akuzuarit. Ai qëlloi disa herë derisa Venierakis ra i vdekur.
Menjëherë pas kësaj, i qetë, Papadosefos iu dorëzua policisë. Ai tha se ndihej i lirë. Ai u dënua me 14 vjet burg për vrasje me paramendim. ©LAPSI.al
Historia/ Kreta, ishulli grek i mbërthyer nga gjakmarrja appeared first on Lapsi.al.









