
Sot (29 shtator) në Maqedoninë e Veriut ka nisur fushata për zgjedhjet lokale, e cila do të zgjasë tre javë. Kandidatët për kryetar komunash nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, sot kanë shpallur Platformat e tyre për projektet që premtojnë nëse zgjidhen kryetarë në Çair dhe Tetovë.
Izet Mexhiti tha se do ta çlirojë Çairin nga monopoli një partiak dhe se do ta bëjë qytet modern.
“Kjo nuk është vetëm një kandidaturë për kryetar komune. Ky është fillimi i një misioni për çlirim nga monopoli njëpartiak. Një mision për thyerjen e sistemit të vjetër dhe të korruptuar të një partie, që i mbajti shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e Çairit në varësi, frikë dhe pasiguri. Thelbi i demokracisë është ndryshimi, pluralizmi, e jo sundimi i një partie që identifikohet me shtetin. Është koha që t’i japim fund këtij monopoli, dhe Çairi të jetë sërish prijës, si gjithmonë! Vizionin tonë e kemi të qartë: Çairi të bëhet një komunë moderne, funksionale dhe evropiane. Një vend ku çdo qytetar do të jetojë me dinjitet. Prandaj, programi ynë nuk është një listë dëshirash, por një plan konkret dhe i realizueshëm që tashmë kemi filluar ta zbatojmë.Ndërsa të tjerët flasin, ne veprojmë”, tha Mexhiti.
Ndërsa Kasami tha se mandati i tij i parë ka qenë për ndërhyrje emergjente dhe për zgjidhje të problemeve bazë. Ndërsa premtoi disa projekte në mandatin e tij të dytë.
“Tetova do të jetë komunë e hapur dhe transparente, me komunikim të rregullt me gazetarët, platformë online për ankesa dhe ide si dhe raporte pune 6-mujore për çdo sektor të komunës. Qytetari aplikon online, merr përgjigje pa radhë dhe ndjek statusin e kërkesës me numër reference e afat përgjigjeje. Këshillat e prindërve, bashkësitë lokale dhe Unioni i tyre do të kenë rol aktiv në vendimmarrje në Tetovën tonë. Ndërmarrjet publike do t’i zhvillojmë edhe më tej, ndërsa shërbimet e tyre do t’i profesionalizojmë dhe digjitalizojmë. Prioritet gjatë këtij mandate: ujë 24/7, kanalizim modern, mbulim i çdo vendbanimi me ndriçim publik, mirëmbajtje rrugësh, menaxhim efikas i mbetjeve komunale, transport publik funksional dhe strategji parkimi, që do të ulë trafikun në qendër, si dhe do ta zgjidh problemin me parkimin në qytetin tonë”.
“Për ujin parashikojmë instalim dhe modernizim të infrastrukturës me ujëmatës digjitalë, rrjete primare dhe sekondare të rinovuara, sigurimin e sasive shtesë të ujit si dhe rezervuar sedimentues për pastimin e ujit që vjen nga burimet e Leshnicës. Kolektor I ujërave të zeza si dhe impjant (filter stacion) për pastimin e ujërave të zeza si dhe kolektor për ujërat atmosferike në pikat dalëse të qytetit për të shmangur përmbytjet dhe bllokimet e nënkalimeve”, tha Kasami.
Koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim, sonte hapi shtabin e rinisë në Tetovë, prej ku kandidati për kryetar komune në këtë qytet, Bajram Rexhepi, shpalosi vizionin e tij nëse zgjidhet kryetar i komunës.
“Ne duhet të nisim një zhvillim ekonomik që i ka hije kryeqendrës sonë të madhe. Së bashku me ju, do ta ndërtojmë Podrën e Diellit – një simbol i dritës, shpresës dhe rilindjes për Tetovën dhe gjithë rajonin,” – tha Rexhepi para qytetarëve.
Ai theksoi se Tetova ka qenë gjithmonë zemra e shqiptarëve, dhe ky status duhet jo vetëm të ruhet, por edhe të forcohet përmes investimeve dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
“Ne duhet ta bëjmë Tetovën sërish kryeqendrën e shqiptarisë, sepse e tillë ka qenë dhe e tillë do të jetë përherë”, u shpreh ai.
AKI mbrëmë në Shkup mbajti konventën promovuese ku prezantoi kandidatët për kryetarë komunash. Ali Ahmeti tha se qeveria aktuale po prek në Marrëveshjen e Ohrit, teksa pati porosi edhe për kryeministrin Hristijan Mickoski.
“Kjo qeveri bashkë me hyzmeqarë dhe vazalë tentuan të prekin e ta rrënojnë Marrëveshjen e Ohrit. Duke prekur gjuhën shqipe, duke hequr balancuesin etj. Marrëveshja e Ohrit duhet respektuar nga të gjithë. Mickoski don me dal trim mbi trima, Hristijani me argatët e tij, me gabimet e një pas njëshme, vetëm se i mobilizon shqiptarët. Ne nuk hedhim gurin e ta fshehim dorën, sepse na akuzuan nga qeveria se po ndezim zjarre, se duam të djegim xhamia, se duam të vrasim njërin nga kandidatët e tyre, këto janë shpifje të tmerrshme!”.
“Mickoski përballe ka kuadro dhe ekipe mirë të specializuara në të gjitha fushat, sepse secili kandidat i joni është më i mirë se tjetri. Hristijan, me zagarë në gjueti dilet për lepuj e jo për shqiponja. Shqiponjat fluturojnë lartë, zagarët ruaj për lepuj”, tha Ahmeti.
Ndryshe, zgjedhjet lokale të vitit 2025 janë të tetat që nga pavarësia e shtetit, dhe të katërtat në të cilat zgjidhen kryetarë bashkish dhe lista këshilltarësh në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit. Votimi do të mbahet në 3,480 vendvotime për 309 kandidatë për kryetarë bashkish dhe 576 lista kandidatësh për anëtarë të këshillave komunale, ose gjithsej 10,490 kandidatë.
Në zgjedhje marrin pjesë 22 parti, 19 koalicione dhe 119 grupe votuesish, pra kandidatura të pavarura. Qyteti i Shkupit ka numrin më të madh të kandidatëve për kryetarë bashkish – 16.
Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet lokale mbahen çdo katër vjet në gjysmën e dytë të tetorit. Vetëqeverisja lokale është e organizuar në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit si njësi e veçantë e vetëqeverisjes lokale./Telegrafi/