
Shpresa e LSDM-së se OBRM-PDUKM nuk do ta refuzonte rezolutën dhe vijat e kuqe të tyre ishte jetëshkurtër. Kryeministri Hristijan Mickoski është kategorik se pa garanci, nuk i shkon ndërmend të shqyrtojë ndonjë ndryshim kushtetues për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë dhe tha se pranon vetëm vija të kuqe maqedonase, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ai përsëriti se rezoluta e LSDM-së përmban falsifikime historike dhe akuzoi partinë opozitare se vazhdon të minojë qëndrimet e Qeverisë dhe shtetit. Partia e Venko Filipçes njoftoi se është mirë që asnjë nga partitë, as OBRM-PDUKM, nuk i refuzon vijat e kuqe ose hapat e planit të propozuar nga LSDM.
“Fatkeqësisht, kjo udhëheqje e LSDM-së vazhdon praktikën e udhëheqjeve të mëparshme të LSDM-së për të minuar pozicionet e qeverisë dhe shtetit maqedonas, për të shitur identitetin dhe prioritetet kombëtare për arsye, për mua, të pakuptueshme. Nëse në atë kohë e bënë këtë për të qëndruar në pushtet, në mënyrë që të mund të abuzonin me institucionet dhe burimet e shtetit, unë disi i kuptova. Tani nuk e kuptoj pse opozita duhet të minojë pozicionet e Qeverisë, e cila po lufton për të rregulluar atë që e ka shitur si në nivel ndërkombëtar ashtu edhe në atë të brendshëm”, tha Mickoski.
Ai tha se e ashtuquajtura rezolutë e vijave të kuqe të LSDM-së dhe teksti do të rishikohen pas zgjedhjeve lokale dhe përsëriti se ajo përmban një falsifikim historik, përkatësisht në vitin kur festojmë 80 vjet nga kodifikimi i gjuhës maqedonase, ata në rezolutë deklarojnë se ajo është pranuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 2019.
“Ne kemi një qëndrim të qartë, garanci që përmendi Presidenti i Këshillit Evropian, sepse populli maqedonas dhe qytetarët e Maqedonisë, pavarësisht nga përkatësia etnike, kanë dhënë aq shumë në emër të asaj të ardhmeje evropiane të shtetit si asnjë popull tjetër në Evropë. Pa garanci të tilla, nuk më shkon ndërmend të mendoj për ndonjë ndryshim kushtetues – është i prerë Mickoski dhe shtoi se kur të shohë gatishmëri nga pala tjetër, Qeveria është e gatshme të ulet dhe të bisedojë./Telegrafi/