
Përfaqësues të koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim dorëzuan kandidaturat e tyre në Komisionin komunal Zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme lokale për kryetar komune dhe anëtarë të këshillit të Komunës së Gostivarit.
Kandidati për kryetar komune është Valbon Limani nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, teksa bartës i listës për anëtarë të këshillit komunal është Valdet Xhaferi, kryetar aktual i degës së BDI-së.
“Kjo kandidaturë bazohet në dëshirën për të bërë më të mirën për Gostivarin në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar dhe për t’iu përkushtuar qytetit tonë. Do të ketë shumë projekte, do të punohet në transformimin e komunës. Shpresojmë që para fushatave zgjedhore të ketë një periudhë në të cilën do ta realizojnë atë se çfarë nuk është bërë deri më tani në Gostivar”, tha Limani.
Valdet Xhaferi për listën që kryeson tha se bëhet fjalë për persona jashtëzakonisht cilësorë dhe se janë plotësisht një përbërje kozmopolite. Ai nuk donte të parashikonte se sa vende do të fitojnë.
Përveç Limanit në garën për kryetar të Komunës së Gostivarit në garë janë edhe Sebaedin Dauti nga koalicioni VLEN si dhe Visar Ademi, i cili aktualisht nuk ka mbështetje nga një listë për këshilltarë.
Lista me kandidatë deri dje kanë dorëzuar edhe LSDM dhe OBRM-PDUKM.