
Viti i gjashtë me radhë “Suksese nxënës i parë” – Halkbank u dhuroi Abetaren e edukimit financiar nxënësve të klasës së parë
Me Abetaren për edukim financiar dhe mjete shkollore, Halkbank uroi me ngrohtësi mirëseardhjen nxënësve të parë nga komunat Kisella Vodë, Prilep dhe Berovë. Aktiviteti është pjesë e iniciativës “Suksese nxënës i parë”, që banka e realizon për të gjashtin vit me radhë, me qëllim që të mbështesë edukimin e fëmijëve që në moshë të vogël. Këtë vit, nxënësit e klasës së parë i priti në bankat shkollore një paketë me figurën e elefantit Halki, që është simbol i kursimit për fëmijë dhe bartës i një numri të madh aktivitetesh për përgjegjësi shoqërore të bankës.
Abetarja për edukim financiar përmban rreth tridhjetë nocione financiare bazë, të ilustruara dhe të shpjeguara me gjuhë të kuptueshme për moshën e nxënësve të parë. Përmes saj, ata mund të mësojnë bazat e edukimit financiar dhe të fitojnë shprehi të dobishme për kursim.
“Suksese nxënës i parë është një nga aktivitetet tona më të dashura, sepse i kushtohet fëmijëve të klasës së parë, të cilët sot, më 1 shtator, fillojnë një kapitull të ri në jetën e tyre. Qëllimi ynë është që përmes paketave të dizajnuara posaçërisht t’u dërgojmë një mesazh se mësimi i gjërave të reja mund të jetë argëtues dhe në këtë mënyrë ata të ndihen të pranuar në ambientin e ri shkollor. Abetarja e Halkit është një botim unik që do t’u mundësojë nxënësve të klasës së parë të mësojnë diçka të re dhe interesante për përgjegjësinë financiare”, tha Maja Naumovska Saveska, drejtoreshë e komunikimeve korporative dhe marketingut në Halkbank.
Iniciativa “Suksese nxënës i parë” çdo vit zbatohet në komuna të ndryshme nga rajone të ndryshme të Maqedonisë. Këtë vit, nga komunat e Shkupit është përfshirë Kisella Vodë, ku aktiviteti do të realizohet në të gjitha tetë shkollat fillore.
“Kujdesi për fëmijët është një nga shtyllat e punës së Komunës së Kisella Vodës dhe pikërisht për këtë arsye u përfshimë me kënaqësi në iniciativën ‘Suksese nxënës i parë’ të Halkbankës, e cila tashmë në mënyrë tradicionale përfaqëson simbolin e vëmendjes dhe përkushtimit ndaj më të vegjëlve. Arsimi nuk është vetëm ajo që fitohet në bankat shkollore, por edhe ndërtimi i shprehive të dobishme tek fëmijët përmes shembujve të përgjegjësisë shoqërore dhe krijimit të kushteve më të mira për rritjen dhe zhvillimin e tyre të pandërprerë. Vetëm së bashku, me pjesëmarrjen e të gjithë faktorëve shoqërorë, mund të ndërtojmë një komunitet më të mirë për të rinjtë tanë, për të ardhmen tonë”, deklaroi Orce Gjorgjievski, kryetar i Komunës Kisella Vodë.
Gjithashtu, Halkbank do t’u urojë fillim të mbarë edhe nxënësve të parë në komunat Prilep dhe Berovë.
“Jam krenar që Komuna e Prilepit i bashkohet kësaj iniciative shoqërore – ‘Suksese nxënës i parë’ të Halkbankës. Me dhurimin e paketave për nxënësit e parë, së bashku kujdesemi t’u sigurojmë atyre një fillim të gëzueshëm dhe të denjë të vitit të ri shkollor. Vlerë të veçantë ka fakti që, përveç mjeteve bazë shkollore, fëmijët marrin edhe ‘Abetaren e Halkit’, që i njeh me tema të rëndësishme të edukimit financiar që në moshë të vogël”, tha kryetari i Komunës së Prilepit, Borçe Jovçeski.
“Falënderim të sinqertë për Halkbank për donacionin e mjeteve shkollore për më të vegjlit tanë – nxënësit e parë. Ky donacion është një gjest i mrekullueshëm dhe mbështetje e fuqishme për hapin e tyre të parë në arsim. Së bashku me partnerë të tillë ndërtojmë një të ardhme më të ndritur për fëmijët dhe investojmë në më të vlefshmen – dijen”, tha kryetari i Komunës së Berovës, Zvonko Pekevski.
Përveç “Suksese nxënës i parë”, Halkbank përmes elefantit Halki realizon një numër të madh aktivitetesh për mbështetje të fëmijëve dhe të rinjve, të cilat kryesisht fokusohen në ndërtimin e shprehive pozitive për përfshirje, mbrojtjen e mjedisit jetësor, zhvillimin e kreativitetit dhe prindërimin e përgjegjshëm.
Halkbank u dhuroi Abetaren e edukimit financiar nxënësve të klasës së parë appeared first on Telegrafi.