
Ministria e Shëndetësisë në RMV ka reaguar në lidhje me disa pretendime të paraqitura në opinion për ndërhyrje të mundshme të panevojshme mjekësore. Nga MSH thonë se në shëndetësi ekzistojnë standarde profesionale të përcaktuara qartë, protokolle dhe procedura ligjore, si dhe trupa kompetente përgjegjëse për zbatimin e tyre.
“Vendimet për trajtim bazohen në indikacionet klinike, por edhe në të drejtën për një mendim të dytë profesional. Pacientët duhet të ndihen të inkurajuar të bëjnë pyetje, të kërkojnë sqarime dhe nëse kanë dilema, të kërkojnë një mendim të dytë — kjo është pjesë e praktikës së mirë mjekësore.
Kjo temë kërkon qasje të matur dhe respekt ndaj fakteve, ndërsa siguria e pacientëve, etika mjekësore dhe mjekësia e bazuar në prova janë parimet themelore mbi të cilat bazohet qasja e sistemit shëndetësor. Këto parime janë gjithashtu themeli i qasjes së re në udhëheqjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Bazuar në informacionet që janë ndarë me opinionin, Ministria e Shëndetësisë tashmë është në koordinim për verifikimin e pretendimeve, si dhe për realizimin e kontrolleve të menjëhershme dhe të jashtëzakonshme me qëllim sigurimin e një pasqyre të plotë. Për më tepër, ministri Azir Aliu tashmë ka paralajmëruar se digjitalizimi i plotë i sektorit shëndetësor përfshin edhe shkëmbimin dypalësh të informatave ndërmjet institucioneve shëndetësore publike dhe private përmes sistemit Termini im – vetëm atëherë do të kemi një pasqyrë të qartë edhe për keqpërdorimet e mundshme të sistemit dhe të mjeteve financiare”, thuhet në reagimin e MSH-së.
Nga atje shtojnë se sistemi shëndetësor bazohet në besim dhe për këtë arsye çdo komunikim publik duhet të jetë i matur dhe i mbështetur në informacione të verifikueshme, pa spekulime dhe pa barazimin e rasteve të veçuara me të gjithë sistemin./Telegrafi/
MSH-Maqedoni: Vendimet për trajtim bazohen në indikacionet klinike dhe profesionale appeared first on Telegrafi.