
Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) ka dënuar ashpër dhe ka hapur një hetim për thirrjet ksenofobike kundër shqiptarëve në ndeshjen e basketbollit midis ekipeve kombëtare të Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë që u zhvillua më 3 gusht në Kumanovë.
“Kjo është një temë me rëndësi të lartë për FIBA-n. Ju informojmë se ngjarjet që ju përmendni janë aktualisht objekt i një hetimi të hapur nga FIBA”, thuhej në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë.
Përgjigja me shkrim thotë se në këtë fazë Federata Ndërkombëtare e Basketbollit po mbledh raportet dhe deklaratat përkatëse, në bashkëpunim të ngushtë me Federatat Kombëtare të përfshira, si dhe me autoritetet lokale dhe agjencitë e zbatimit të ligjit.
Reagimi vjen pas brohoritjeve në ndeshjen e zhvilluar më 2 gusht në Kumanovë, ku tifozët brohoritën fjalë përçmuese dhe ofenduese për shqiptarët, ndërsa zyrtarët shtetërorë maqedonas ishin të pranishëm në tribuna.
FIBA dënoi ashpër thirrjet ofenduese në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë.
“FIBA dënon pa rezerva dhe me forcë gjuhën e urrejtjes dhe gjuhën diskriminuese ose raciste në çdo formë. Ne promovojmë në mënyrë aktive ndërtimin e një mjedisi gjithëpërfshirës dhe respektues për të gjithë lojtarët, ekipet dhe tifozët si një përparësi kryesore në sport”, tha FIBA.
FIBA dënon gjuhën e urrejtjes dhe hap hetime për thirrjet ksenofobike në Kumanovë appeared first on Telegrafi.