Situata te Serbia nuk shfaqet aspak e qetë, para ndeshjes me Kombëtaren shqiptare. Në qendër të kritikave është vendosur trajneri Dragan Stojkoviq, për listën e përzgjedhur.
Stojkoviq nuk është kursyer aspak në konferencë për shtyp. Këtë herë ka folur me emra të përveçëm, pas kritikave që ka dëgjuar.
Gjithçka nisi me portierin e Romës dhe ftesën e munguar ndaj tij, përcjell Panorama.
“Është në dorën e Svilarit, jo në timen. Mos prisni që të shkoj në Romë, mund të dal për ndonjë drekë, për një kafe, të shikoj një ndeshje, por të shkoj të lus dikë, kjo nuk do të ndodhë. Jo vetëm për Svilarin, por askënd.
Keni bërë gabime. Shumë mirë, gjithë të mirat, secili ka të drejtë të marrë vendimet e veta. Është në dorën e tij të pranojë nëse ka dëshirë. Atëherë tha se donte t’i përkushtohej klubit të vet sepse kishte mundësi të futej si portier titullar, deshi të përqendrohej aty. E shfrytëzoi mundësinë dhe më vjen shumë mirë për këtë.
A jam unë problemi? Menjëherë pas kësaj konference jap dorëheqjen. Ndoshta jo menjëherë, por nesër, nëse kjo është e vërtetë. Por mendoj që nuk është e vërtetë. Këta janë lojtarë që panë që nuk ka vend për ta dhe pastaj thonë “Unë po tërhiqem”.
Ekipi ndryshon, lojtarët thirren sipas meritës. Mendoni që Lazoviçi nga Verona, që çdo vit lufton për të mos rënë nga liga, është ajo që i duhet Serbisë? Dmitroviç? Portier i shkëlqyer, por vendosa për Petroviçin. Kam gabuar? Jo, nuk kam. Dhe cili është problemi? Dmitroviçi është i zemëruar? Edhe unë jam i zemëruar që nuk e fituam ndeshjen kundër Sllovenisë.
Përmendët Radonjiçin. Cili është problemi? Nuk e dua? Nuk më është simpatik? Nuk më pëlqen modeli i flokëve të tij? Ai po e shkatërron veten, po e shkatërron Zvezdën, po e shkatërron përfaqësuesen, ose po vetëshkatërrohet. Ky është problemi i tij. Dhe doni të më thoni që e meriton të jetë në kombëtare? Si të ishim të gjithë të çmendur.
Po flas hapur… për disa lojtarë nuk dua të përmend emra, ajo që luajnë nuk ka lidhje me realitetin. Çfarë ofron që të jesh këtu? Në bazë të çfarë? Unë tani thërras Radonjiçin dhe më pyesni pse e thirra, çfarë të them? T’ju gënjej: ‘E dini, ai sprinti kundër Shtutgartit…?’ Nuk luhet për një sprint.
Gjithçka është sipas meritës, le të zemërohen me mua sa të duan, kjo është puna e tyre, gjithmonë do të zemërohen ata që nuk luajnë. Për aq kohë sa jam unë këtu, unë do të vendos kush do të luajë. Është detyra e lojtarëve të tregojnë dhe të vërtetojnë se kam pasur të drejtë që i kam thirrur. Përgjegjësia është e madhe dhe duhet ta kuptojnë këtë”, u shpreh Stojkoviq ndër të tjera./Express/
Trajneri i Serbisë nervozohet me lojtarët: “Menjëherë pas kësaj konference jap dorëheqjen nëse…” / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.