Gabimi i Cristiano Ronaldos nga penalltia, në minutën e 96-të të ndeshjes kundër Al-Taawoun në 1/8 finale të Kupës së Mbretit vazhdon të ngjallë polemika të forta. Al Nassr i drejtuar nga Stefano Pioli është eliminuar nga kompeticioni në fjalë dhe tifozët nuk i kanë kursyer kritikat ndaj kampionit portugez.
CR7 humbi mundësinë e madhe për të shënuar golin e barazimit në minutën e fundit shtesë dhe evituar eliminimin e skuadrës së tij. Penalltia e ekzekutuar keq (topi fluturoi mbi portë, madje goditi edhe një fëmijë në tribunë), e nxori Al Nassr jashtë kupës, duke shkaktuar një ortek komentesh negative.
Reagimet e tifozëve të Al Nassr në rrjetet sociale ishin plot zemërim dhe zhgënjim, me kritika të drejtuara ndaj Cristiano Ronaldos. Ndër komentet më thumbuese ka qenë ai i një fansi, i cili ka shkruar: “Al Nassr nuk do të fitojë asgjë për sa kohë që Ronaldo është aty. Nuk ka njeri që do ta nxjerrë jashtë klubit, prandaj nuk do të fitojmë asgjë”.
Akuza kryesore është se Ronaldo, në moshën gati 40-vjeçare nuk mund të mbajë më peshën e një ekipi që synon rezultate të rëndësishme. Disa tifozë e akuzuan atë se po zvarritej në fushë dhe se donte të ekzekutonte të gjitha goditjet e lira, duke i shpërdoruar ato, deri në gabimin vendimtar nga pika e bardhë, që kompromentoi kalimin në çerekfinale të Kupës së Mbretit Saudit.
Një tjetër tifoz i çoi gjërat më tej, duke thënë: “Ne humbëm për shkak të Cristianos. Ai është specialist i penalltive, por i shpërdoron në këtë mënyrë”.
Siç raportohet nga “Corriere dello Sport”, disa mbështetës madje shkuan aq larg, sa hipotezuan se Ronaldo e humbi penalltinë qëllimisht për ta shmangur angazhimin më tej në këtë turne.
Një tifoz, duke përshëndetur me sarkazëm sulmuesin portugez, deklaroi se gabimi ishte i qëllimshëm, thuajse një shenjë e dëshirës për t’i dhënë fund aventurës së klubit në Kupën e Mbretit, gjë që për CR7 mund të jetë “angari” në moshën 40-vjeçare.
Tifozët e Al-Nassr kundër Ronaldos: Nuk do të fitojmë kurrë asgjë me të / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.