Shqipëria dhe Serbia do të përballen sot në kuadër të kualifikueseve të Botërorit 2026.

Sfida që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, do të nisë në orën 20:45.

Shqipëria ka mbledhur deri tani 3 pikë nga dy ndeshje të luajtura, ndërsa për Serbinë kjo do të jetë ndeshja e parë në grup. Kujtojmë që sfidat mes këtyre dy ekipeve kanë pasur gjithmonë tensione dhe emocione të veçanta.

Atmosfera në Tiranë pritet të jetë elektrizuese, ndërsa të dyja skuadrat synojnë të marrin pikët e plota për të ecur përpara në garën e gjatë drejt Botërorit.

UEFA ka shpallur tashmë emrat e zyrtarëve të ndeshjes, ku takimi do të drejtohet nga gjyqtari italian Davide Massa.

Asistentët e tij në këtë përballje të rëndësishme do të jenë Filippo Meli dhe Ciro Carbone, ndërsa gjyqtar i katërt do të jetë Fabio Maresca.

Në dhomën e VAR-it, teknologjia që gjithmonë ka rol vendimtar në ndeshje të tilla, do të jenë Aleandro Di Paolo dhe Daniele Doveri.

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, ka theksuar se kuqezinjtë do të hyjnë në fushë për të synuar fitoren ndaj Serbisë, në përballjen e së shtunës në Tiranë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botërorit 2026.

“Shpresojmë të dhurojmë ndeshje të bukur, janë 90 minuta të gjatë. Futemi në ndeshje për të marrë tri pikët. Rruga drejt Botërorit është e gjatë”, ka deklaruar Sylvinho. /Reporteri.net/.

Sonte në “Air Albania”, Shqipëria përballet me Serbinë, kërkon vetëm fitore / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version