Një ndeshje spektakolare me gjashtë gola, emocione të shumta dhe përmbysje të vazhdueshme, përfundoi pa fitues në “Estadi Olímpic Lluís Companys”, ku Barcelona dhe Inter barazuan 3:3 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Takimi nisi me një tronditje për vendasit, pasi Marcus Thuram zhbllokoi rezultatin që në sekondën e 32-të, duke i dhënë avantazhin Interit me 0:1. Në minutën e 21-të, Denzel Dumfries dyfishoi rezultatin në një kundërsulm të shpejtë, duke e vënë në vështirësi Barcelonën.

Por katalanasit reaguan shpejt. Në minutën e 24-të, Lamine Yamal, ylli i ri i Barcelonës, realizoi një gol të bukur pas një aksioni individual, duke ngushtuar rezultatin në 1:2. Vetëm 14 minuta më vonë, Ferran Torres barazoi gjithçka në 2:2, duke rikthyer entuziazmin në tribuna.

Pjesa e dytë nisi me ritëm të njëjtë, dhe sërish ishte Interi që goditi i pari: në minutën e 64-të, Dumfries realizoi dygolëshin personal, duke rikthyer epërsinë për skuadrën e Simone Inzaghit në 2:3.

Por Barcelona u përgjigj menjëherë. Vetëm një minutë më vonë, Raphinha lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca, e cila u përplas në shtyllë dhe pastaj në portierin Yann Sommer, për t’u kthyer në autogol dhe për të vendosur rezultatin përfundimtar 3:3.

Ky rezultat lë gjithçka të hapur për ndeshjen e dytë në San Siro, ku të dy skuadrat do të kërkojnë finalen e madhe të Ligës së Kampionëve.

Përfundon spektakli i gjashtë golave, Interi kthehet në Itali me rezultat pozitiv përballë Barcelonës / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version