Instituti për Drejtësi, Edukim dhe Avancim (IDEA) publikoi raportin më të ri të hulumtimit mbi integritetin gjinor dhe moshor në financimin e sportit në Kosovë. Hulumtimi vë në pah pabarazitë strukturore dhe financiare që karakterizojnë skenën sportive vendore, me theks të veçantë në shpërndarjen e sponsorizimeve.
Të pranishëm në ngjarje ishin përfaqësues institucional dhe akterë të sektorit sportiv, përfshirë zëvendësministren në detyrë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Daulina Osmani, e cila deklaroi:
“Ky është dokumenti i tretë që trajton sponsorizimet në sport, pas një raporti të brendshëm për deputetët e Kuvendit dhe një raporti të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Si i tillë, ky hulumtim është shumë i rëndësishëm dhe hap i domosdoshëm para çdo veprimi tjetër që lidhet me ligjin për sponsorizime, i cili është tashmë në planin legjislativ të MKRS. Integriteti i sponsorizimeve është thelbësor dhe çdo nismë duhet të mbështetet në të dhëna konkrete nga terreni. Rezultatet tona sportive, veçanërisht nga sportistet femra që kanë sjellë pesë medalje olimpike për Kosovën, tregojnë qartë se sukseset nuk janë gjithmonë të lidhura me vlerën e financimit. Është domosdoshmëri që barazia gjinore në financim të jetë prioritet.”
Raportin e prezantuan hulumtuesit Leart Hoxha dhe Afrim Kamishi.
Kamishi gjatë prezantimit të raportit theksoi:
“Të dhënat tregojnë një koncentrim të theksuar të sponsorizimeve në futboll dhe basketboll. Gjatë periudhës 2021–2024, mbi 70% e sponsorizimeve totale kanë shkuar në këto dy sporte, kryesisht në ekipet e meshkujve në kategorinë e seniorëve. Mbi 90% e sponsorizimeve i marrin rregullisht ekipet e meshkujve – kjo është pasojë e strukturës më të organizuar, komercializimit dhe interesimit më të madh të publikut, por gjithashtu është dëshmi e pabarazisë. Po ashtu, është shqetësuese që vetëm 1% – 3% e fondeve shkojnë për shkollat sportive dhe zhvillimin e gjeneratave të reja. Këto të dhëna janë të domosdoshme për federatat, ministrinë dhe të gjithë akterët që hartojnë politikat sportive.”
Disa nga thekset kryesore të raportit përfshijnë:
-Dominimi absolut i futbollit dhe basketbollit – mbi 75% e fondeve përqendrohen në këto dy sporte.
-Injorimi i kategorive të reja – vetëm 2-3% e fondeve janë dedikuar për grupmoshat e reja.
-Pabarazia gjinore – klubet e femrave përfitojnë vetëm rreth 5% të sponsorizimeve, përkundër rezultateve shpesh më të mira ndërkombëtare.
-Moskorrelacioni ndërmjet rezultateve dhe sponsorizimit – sportet më të suksesshme ndërkombëtare, si xhudoja, mbesin ndër më pak të financuarat.
-Probleme me zbatimin e ligjit për sponsorizime – shumë nga fondet e premtuara nuk inkasohen realisht nga klubet.
Instituti IDEA ka apeluar për rishikim urgjent të politikave të sponsorizimit, me theks në fuqizimin e kategorive të reja dhe barazinë gjinore në financim.
“Kjo është posaçërisht e rëndësishme në prag të organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, thuhet në postim.
Ky hulumtim është realizuar me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Pabarazitë në sponsorizimin e sportit në Kosovë, klubeve të femrave dhe kategorive të reja u takojnë vetëm 5% e sponsorizimeve / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.