Interi mbyll sezonin pa trofe pas humbjes shkatërruese në finalen e Ligës së Kampionëve.
Vetëm një muaj më parë, Interi shpresonte për një sezon historik, me objektivin ambicioz për të fituar tripletën.
Sot, sezonin 2024-25 e përmbyll pa asnjë trofe, pas një humbjeje të rëndë 5-0 ndaj PSG-së në finalen e Ligës së Kampionëve.
Entuziazmi ishte i madh kur trajneri Simone Inzaghi foli për mundësinë e katër trofeve, përfshirë edhe Kupën e Botës për Klube. Por, realiteti u përmbys shpejt.
Eliminimi nga Kupa e Italisë në gjysmëfinale nga Milani sinjalizoi fillimin e rënies. Pas kësaj, erdhi një humbje tjetër vendimtare në Serie A kundër Romës, duke i hapur rrugë Napolit drejt kreut të klasifikimit.
Humbja ndaj Romës ishte e treta radhazi në të gjitha garat, duke sjellë një kthesë dramatike në formën e skuadrës.
Edhe pse Interi rigjeti veten në Ligën e Kampionëve me një fitore spektakolare ndaj Barcelonës në gjysmëfinale (me rezultat të përgjithshëm 7-6), sërish nuk arriti të finalizojë asnjë objektiv.
Në Serie A, mundësia për ta rimarrë kreun i shpëtoi nga duart pas një barazimi në minutat e fundit kundër Lazios, ndërsa Napoli barazoi me Parman.
Humbja shkatërruese në finalen e Champions League në Mynih i vuri kapakun një sezoni që nisi me ëndrra të mëdha, por përfundoi pa lavdi për Nerazzurrët.
Makthi i Interit: Nga ëndrra e tripletës në një sezon duarbosh / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.