Kur Joan Monfort bëri foto të Lionel Messit me një fëmijë për një kalendar bamirësie pothuajse 17 vjet më parë, ai e dinte se i riu me flokë të gjatë do të bëhej i madh në futboll, por ai nuk mund ta imagjinonte dot edhe vogëlushin të tillë, shkruan prestigjiozja britanike “The Guardian”, përcjell Reporteri.net.
Foshnja në foto, të cilat tashmë janë bërë virale, nuk ishte askush tjetër veçse Lamine Yamal, i riu spanjoll, i cili në moshën 16-vjeçare po premton aq shumë sa që tashmë po krahasohet me të mëdhenjtë.
Më i riu që ka luajtur për Spanjën, ai u bë lojtari më i ri ndonjëherë në Kampionatin Evropian në turneun aktual në Gjermani.
Fotoja e harruar prej kohësh nga viti 2007 u rishfaq pasi babai i Yamal e postoi në Instagram javën e kaluar me tekstin: “Fillimi i dy legjendave”.
Monfort, 56 vjeç, i cili punon si fotograf i pavarur për Associated Press dhe të tjerë, tha se fotosesioni u zhvillua në dhomën e zhveshjes së vizitorëve në Camp Nou të Barcelonës në vjeshtën e vitit 2007, kur Lamine Yamal ishte vetëm disa muajsh.
Ashtu si Messi, Lamine Yamal ka kaluar nëpër akademinë e njohur të të rinjve të Barcelonës, “La Masia”.
Pavarësisht moshës së tij, ai ka qenë një nga lojtarët më të mirë të Spanjës në Euro 2024, ku ekipi i tij luan të martën në gjysmëfinale me Francën.
Ai do të mbushë 17 vjeç të shtunën, një ditë para finales në Berlin.
/Reporteri.net/
“Fillimi i dy legjendave”: Bëhen virale fotot e Messit me futbollistin Lamine Yamal kur ishte i vogël / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.