Atlético Madrid ka nisur lëvizjet për merkaton verore dhe këtë po e bën me vendosmëri. Në listën prioritare të drejtuesve sportivë ndodhen tre lojtarë që aktualisht luajnë në La Liga: Omar Alderete, Mauro Arambarri dhe Álex Baena.
Klubi bardhekuq ka bërë tashmë kontaktet e para dhe gjithçka tregon se janë të gatshëm të bëjnë një investim të rëndësishëm për të siguruar afrimin e këtyre tre përforcimeve, me synimin për të forcuar të gjitha repartet me lojtarë që kombinojnë përvojën, karakterin dhe paraqitjet e mira në kampionatin vendas.
Operacioni më i avancuar është ai për Álex Baena, mesfushorin e Villarrealit, i cili thuhet se ka dhënë dritën jeshile për t’iu bashkuar projektit të drejtuar nga Diego Pablo Simeone. 23-vjeçari, ndërkombëtar spanjoll, është shquar këtë sezon si një nga organizatorët më efikas në La Liga dhe te Metropolitano besojnë se ai do t’i japë cilësi shtesë mesfushës. Klauzola e tij e lirimit është 60 milionë euro, por marrëveshja mund të mbyllet për një shumë më të ulët, ndoshta me përfshirje lojtarësh në negociata.
Sa i përket Omar Alderete-s, mbrojtësi qendror nga Paraguaji që luan te Getafe, ka tërhequr vëmendjen e Simeone-s për profilin e tij si mbrojtës i majtë dhe sigurinë në mbrojtje. Getafe mund ta lejojë largimin e tij për një shumë afër klauzolës prej 16 milionë eurosh. Po e njëjta shumë do të nevojitej edhe për Mauro Arambarri-n, gjithashtu lojtar i Getafe-s, i vlerësuar për përkushtimin dhe ekuilibrin taktik.
Me këto tre prurje, Atlético synon jo vetëm të forcojë skuadrën, por të ndërtojë një grup të thellë dhe me karakter, të aftë për të konkurruar me skuadrat më të mëdha si në Spanjë, ashtu edhe në Evropë.
Atletico i ka 100 milionë euro gati për tre lojtarë të La Ligas / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.