
Policia e Elbasanit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Night”, duke arrestuar një 31-vjeçar të dyshuar për disa vjedhje në qytet.
31-vjeçari, më datë 19 tetor 2025, ka hyrë në banesën e një shtetasi dhe ka vjedhur sende me vlerë dhe para, në kohën kur pronari nuk ndodhej në banesë.
Menjëherë pas kallëzimit të bërë nga pronari, policia organizoi punën operacionale dhe arriti të kapë autorin, i cili kishte fshehur disa nga sendet e vjedhura në lokalin që administronte vetë.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se i njëjti person më datë 5 nëntor 2025 ka vjedhur materiale në një magazinë po në lagjen “Katund i Ri”.
NJOFTIMI:
Në vijim të punës hetimore dhe operacionale, me objektiv identifikimin dhe nxjerrjen e autorëve të vjedhjeve, përpara përgjegjësisë penale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan finalizuan operacionin policor të koduar “Night”, si rezultat i të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi Xh. M., 31 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas:
-më datë 19.10.2025, ka hyrë në banesën e shtetasit E. L., në lagjen “Katund i Ri”, kur nuk kishte shtetas aty, dhe ka vjedhur sende me vlerë dhe shuma parash, rast për të cilin pronari i banesës kallëzoi dje, në polici. Gjatë kontrollit të kryer në lokalin që administronte 31-vjeçari, u gjetën disa prej sendeve me vlerë të dyshuara të vjedhura në këtë banesë;
-më datë 05.11.2025, ka vjedhur materiale në një magazinë në lagjen “Katund i Ri”.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi, në fushën e vjedhjeve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv









