Erion Veliaj do të jetë i pranishëm në seancën që do të zhvillohet ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese.
Ai pritet të lërë ambientet e paraburgimit të Durrësit rreth orës 08:30 minuta, për tu paraqitur në orën 09:30 minuta në Kushtetuese.
Kujtojmë se rreth një muaj më parë, Erion Veliaj kundërshtoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e shkarkimit të tij si kryebashkiaku i Tiranës nga Këshilli i Ministrave.
Ky hap i Veliajt bllokoi automatikisht zgjedhjet e parakohshme për kryeqytetin që do të mbahen në datën 9 nëntor, deri në vendimin e Gjykatës.
Seanca e sotme do të jetë e hapur për publikun dhe do të transmetohet në kohë reale.
Çfarë ndodhi
Në Asamblenë Socialiste të 11 shtatorit, kryesocialisti Edi Rama lajmëroi nevojën për zgjedhje të parakohshme në Tiranë teksa bëri me dije dhe emrin e Ogerta Manastirliut si kandidate e mazhorancës për bashkinë e kryeqytetit.
Pas kësaj kërkese të kreut të qeverisë, anëtarësia socialiste në Këshillin Bashkiak kërkoi shkarkimin e Veliajt, e cila mori dhe mbështetjen e opozitës.
Më 25 shtator Këshilli i Ministrave finalizoi shkarkimin e Erion Veliajt. Gjatë mbledhjes së drejtuar nga kryeministri Edi Rama, Veliaj u shkarkua nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Në vijim të procedurave presidenti Begaj nxori dekretin për zgjedhjet më 9 nëntor, ku pjesë e këtij dekreti ishte edhe Bashkia e Tiranës.
Por, më 9 tetor Kushtetuesja e cila u vu në lëvizje me kërkesë të Veliajt, vendosi që të pezullonte dekretin e Begajt lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë.
Ky proces ka pezulluar përkohësisht zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës, të planifikuara për 9 nëntor, derisa Gjykata Kushtetuese të japë vendimin përfundimtar mbi ligjshmërinë e shkarkimit të Veliajt.
Në ankimimin e dërguar në Kushtetuese, kryebashkiaku i shkarkuar iu referua nenit 62, i cili thekson se mungesa e tij në detyrë prej më shumë se tri muajsh nuk është për shkaqe që varen prej vullnetit të tij.
“Neni 62 i ligjit për vetëqeverisjen vendore, i interpretuar në pajtim me nenin 115 të Kushtetutës në bazë dhe për zbatim të së cilit ka dalë, e konkretizon këtë standard, përfshirë edhe rastin e mungesës 3-mujore, pa shkaqe objektive. Në rastin tonë, mungesa rrjedh nga një pamundësi objektive (paraburgimi), pra nuk bie në hipotezën e nenit 62, gërma “c”. Duke e trajtuar këtë mungesë objektive, si “shkak shkarkimi”, Këshilli i Ministrave ka aplikuar një kriter të ri, që s’gjendet në asnjë dispozitë juridike.”
Sipas Veliajt, Këshilli i Ministrave nuk ka respektuar ligjin, i cili sqaron dhe rastet e shkarkimit.
“Në mungesë të një autorizimi kushtetues, ligjvënësi nuk mund të shtojë vetë raste të tjera shkarkimi që nuk përfshihen në këtë parashikim dhe që Kushtetuta nuk i ka autorizuar që ligjvënësi ti bëjë. Për më tepër, edhe nëse i referohemi nenit 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, ky i fundit parashikon vetë se është nxjerrë “në bazë dhe për zbatim të nenit 115 të Kushtetutës”, pra nuk mund të kuptohet dhe as të zbatohet i shkëputur nga neni 115, që është burimi i vetëm kushtetues i kompetencës për shkarkimin e një organi vendor të zgjedhur.”
Veliaj deklaroi se pavarësisht masës së sigurisë, vijimësia e ushtrimit të detyrave u mundësua përmes nënkryetares së bashkisë.
“Në rastin e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, mungesa ishte rezultat i një mase sigurie, pra një pamundësi objektive, dhe për më tepër, vijimësia e funksionit u sigurua përmes zbatimit të nenit 64 i të njëjtit ligj, përmes emërimit prej Kryetarit të Bashkisë të nënkryetares së bashkisë që do të ushtronte kompetencat e kryetarit. Pra, në themel nuk kishte asnjë “shkelje të rëndë”, çka e bën aktin jo vetëm të pabazuar në kushtetutë, por edhe të pambështetur materialisht në rrethanat konkrete./vizionplus.tv
