Ashtu siç ishte premtuar nga kryeministri Rama, Shqipëria do të hapë grup-kapitullin e fundit me Bashkimin Evropian.
Shefi i qeverisë, njofton se më 17 nëntor në Bruksel do të mbahet konferenca ndërqeveritare ku Shqipëria do të hapë bisedimet për 5 kapitujt e përfshirë në Klasterin 5 – “Bujqësia, Kohezioni dhe Burimet”.
Përmes një reagimi në Facebook, kreyministri tha se Shqipëria ka arritur një nga momentet më historike në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke hapur të gjithë grup-kapitujt e negociatave brenda 12 muajsh, një rekord absolut në historinë e zgjerimit të BE-së.
Sipas tij, ky është një hap gjigant drejt objektivit madhor të anëtarësimit të plotë deri në vitin 2030 dhe të mbylljes së negociatave brenda vitit 2027.
Rama: SHQIPËRIA E ARRITI TË PAMENDUESHMEN, TË GJITHË KAPITUJT E NEGOCIATAVE TË HAPUR BRENDA 12 MUAJSH – REKORD ABSOLUT NË PROCESIN E INTEGRIMEVE EUROPIANE
Asgjë nuk na dal dot drejt majës së Shqiperisë 2030 në BE
Askush nuk na ndal dot drejt objektivit madhor të mbylljes së negociatave brenda 2027
Sepse përtej vështirësive, pengesave, dëmtimeve të pashmangshme apo baltës së pandashme, në ngjitjen e kësaj të përpjete historike, ne po e rrisim e forcojmë muaj pas muaji Shqipërinë,
me një ekonomi që po rritet; me pensionet që po rriten; me pagën minimale që po rritet; me pagat e tjera që po rriten; me investimet e brendshme e të huaja që po rriten; me mbështetjen për më të dobëtit e për të sëmurët me kancer që po rritet; me investimet e brendshme e të huaja që po rriten; pa rritur asnjë taksë dhe duke përmirësuar hap pas hapi punën e institucioneve të shtetit
SHQIPËRIA PUNON DHE FITON PËRDITË E MË SHUMË RESPEK
Lidhur me lajmin ka reaguar edhe ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali.
Spiropali: Premtimet marrin kuptim vetëm kur ato mbahen. Kishim premtuar hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave brenda vitit 2025. Pak kush e besonte. Por sot, ai që dukej angazhim i pamundur, është bërë realitet. Më datë 17 nëntor 2025, Shqipëria do të hapë bisedimet për 5 kapitujt e përfshirë në Klasterin 5 – “Bujqësia, Kohezioni dhe Burimet”.
Një fazë historike për Shqipërinë, një gur kilometrik në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe një moment krenarie për çdo shqiptar, brenda dhe jashtë vendit. Kjo është ajo që sjellin reformat, vullneti i palëkundur politik, përkushtimi dhe bashkëpunimi i ngushtë me institucionet dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian.

