
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Eduart Merkaj është thirrur në një takim nga ministrja e Brendshme, Albana Koçiu.
Takimi vjen një ditë pas ngjarjes së rëndë në Rinas, ku mbeti i plagosur punonjësi i AMP-së, Muçi Sheqeri dhe viktimë Gilmando Dani.
Burime nga spitali i Traumës bëjnë me dije se i plagosuri Muçi Sheqeri vijon të ndodhet i intubuar në repartin e reanimacionit në gjendje të rëndë. 40 vjeçari mori 10 plumba në trup, 2 prej të cilëve në kokë.
Pista kryesore e policisë, mbetet ajo e përplasjeve mes grupeve kriminale. Gilmando Dani është një emër i njohur i botës së krimit i konsideruar si krahu i djathtë i Emiliano Shullazit.
Ai është liruar para një viti nga burgu ku vuajti dënimin me 12 vite për gjobëvënie si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga Emiliano Shullazi.
Nga ana tjetër Muçi Sheqeri rezulton se në muajin shtator është punësuar në Agjencinë e Mbikqyrjes Policore si agjent, kur institucioni drejtohej nga Artiol Saliasi. Por burimet bëjnë më dije se ai nuk ishte i pajisur me certifikatë sigurie.
Drejtuesit e AMP po bëjnë verifikimin e brendshëm të procedurave administrative që sollën rekrutimit tij, prej shtatorit 2025. Po ashtu, Drejtori i Përgjithshëm i AMP Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./vizionplus.tv









