
Tiranë – Pak pasi zbriti nga avioni në Rinas, 47-vjeçari Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, mbeti viktimë e një atentati mafioz.
Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë, 11 nëntor.
Breshëritë e plumbave lanë të plagosur edhe 40- vjeçarin Muçi Sheqeri, agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i cili u dërgua në Spitalin e Traumës në luftë për jetën.
Një ditë pas atentatit, nuk ka ende asnjë gjurmë nga autorët.
Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj mëson se policia ka këqyrur kamerat e bizneseve dhe të aeroportit për të parë lëvizje të dyshimta për persona të tjerë që mund të kenë patur si rol për të informuar autorët që ndodheshin brenda automjetit tip Toyota, të cilët ishin të ndaluar te rrethrrotullimi dhe po prisnin viktimën dhe shokun e tij që mbeti i plagosur rëndë.
Po verifikohet për të gjitha mjetet e tjera apo njerëzit që kalojnë disa herë tek porta dalëse e aeroportit, ku të skeduar janë pikërisht ata njerëz që kanë qëndruar më gjatë dhe janë larguar sapo kanë dalë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.
Si ndodhi ngjarja
Ekzekutimi mafioz ndodhi te rrethrrotullimi i Aeroportit Nënë Tereza, rreth orës 14: 20 menjëherë pasi të dy miqtë ishin kthyer me avion nga Barcelona.
Teksa po udhëtonin me një automjet Benz që drejtohej nga Muçi Sheqeri, atyre iu bë pritë nga një tjetër makinë. Autorët i kanë pritur shënjestrat e atentatit në Rinas, derisa ata u futën në makinën e lënë në parkingun e aeroportit që në 7 nëntor kur ishin nisur për në Spanjë.
Sapo vunë re makinën, menjëherë autorët u vunë në ndjekje duke e vendosur automjetin e tyre paralel me atë të Gilmando Danit dhe Muçi Sheqerit.
Pikërisht në këtë moment atentatorët hapën zjarr me breshëri kallashnikovi derisa u siguruan se drejtuesit i humbi kontrolli mbi mjetin e tij.
Njëri prej autorëve, i maskuar dhe me kapele, doli nga makina dhe qëlloi drejt Gilmando Danit disa herë me pistoletë. Më pas, ai u kthye në makinë për tu larguar me shpejtësi drejt Fushë Krujës. Pak minuta më vonë autorët e dogjën mjetin në fshatin Halil. Brenda Toyotës së djegur, u gjetën 4 armë.
Fatmirësisht nga krimi tronditës që ndodhi fare pranë Rinasit, në një zonë gjithmonë të populluar, nuk pati të lënduar të tjerë. Por plumbat e kallashnikovëve përfunduan në muret dhe xhamat e hoteleve e bizneseve përreth, duke shkaktuar disa dëme.
Policia dyshon se ngjarja ka motiv hakmarrjen mes bandave rivale, pasi Gilmando Dani, i rithyer në liri vetëm pak kohë më parë, dyshohet se kishte marrë kontrolin e grupit kriminal të Emiljano Shullazit, që aktualisht ndodhet në burg.









