Suplementet e vitaminave rekomandohen për të mbushur hendeqet e dietës sonë, por efikasiteti i tyre është i diskutueshëm.
Tregu global i suplementeve të vitaminave dhe mineraleve arrin në 32,7 miliardë dollarë.
Pavarësisht se janë kaq të përhapura, disa studime thonë se mund të mos kenë ndikime të dukshme në shëndet e deri të na dëmtojnë.
Por a duhet të vazhdojmë t’i pijmë dhe pse?
Vitaminat dhe mineralet janë thelbësore për shëndetin, por nuk mund të prodhohen nga organizmi ndaj ne duhet t’i marrim përmes ushqimit. Vitamina A është e dobishme për shikimin, C për shëndetin imunitar dhe K për mpiksjen e gjakut. Minerale si kalciumi dhe magnezi janë jetike. Këta mikroushqyes nevojiten në sasi të vogla krahasuar me proteinat dhe karbohidratet. Sigurisht mënyra më e mirë për të përmbushur nevojat është një dietë e ekuilibruar, por zakonet e të ngrënit sot dhe ushqimi i shpejtë, krijojnë mungesë të këtyre elementëve.
Shumë njerëz, sidomos në vendet perëndimore, kanë vështirësi për të konsumuar fruta dhe perime çdo ditë. Hendeku ushqimor ka nxitur pyetje nëse vitaminat janë të dobishme. Edhe pse ideja e përdorimit të dozave të larta të disa vitaminave si ajo C për të parandaluar të ftohtin, qe e njohur në të shkuarën, ka rezultuar se sasia e tepërt dëmton.
Përdorimi i tepruar mund të shkaktojë efekte të rrezikshme anësore. Për shembull, dozat e larta të vitaminës D mund të nxisin kriza, vitamina A përzierje, turbullim e deri në koma. Disa antioksidantë si beta-karoteni mund të rrisin rrezikun e kancerit, sidomos te duhanpirësit. Testet klinike nxjerrin përfundime kontradiktore, duke nënkuptuar se suplementet mund të mos jenë të dobishme për të gjithë.
Eksperimentet e para me antioksidantë si vitamina C dhe E nuk treguan ndikim në parandalimin e kancerit apo sëmundjeve të zemrës, madje në disa raste përdorimi i shtuar mund të përkeqësojë shëndetin. dozat e larta të një mikroushqyesi mund të ndërhyjnë në përthithjen e elementëve të tjerë të rëndësishëm. Për shembull, beta-karoteni i tepërt mund të pengojë përthithjen e karetenoideve si luteina që është jetike për shikimin.
Vitamina D përbën përjashtim. Shumë njerëz nuk marrin sasinë e mjaftueshme, sidomos kur nuk ka diell apo gjatë muajve të dimrit ndaj dhe këshillohen ta përdorin. Disa studime kanë treguar se vitamina D mund të pakësojë vdekjet nga kanceri dhe rrezikun e sëmundjeve autoimunitare si artriti reumatoid. Megjithatë, roli i saj në parandalimin e frakturave kockore mbetet i papërcaktuar sepse disa studime thonë se nuk sjell përfitime.
Për disa grupe, si të moshuarit apo personat me një dietë të kufizuar, multivitaminat mund të jenë të dobishme. Kërkimet tregojnë se të moshuarit që marrin multivitamina kanë rrezik më të ulët nga kanceri dhe sëmundjet konjitive. Personat me dieta vegjetariane apo që nuk konsumojnë peshk, mund të kenë përfitime nga suplemente si vaji i peshkut omega-3. Rekomandimi i përgjithshëm mbetet që mënrya më e mirë është ushqimi pasi përthithet më lehtë dhe furnizon organizmin me fibra.
Multivitaminat mund të jenë “siguri ushqimore” për disa, por pjesa më e madhe e njerëzve nuk kanë nevojë për to nëse ushqehen mirë. Është e rëndësishme të mos tejkalohet sasia ditore sepse “mega-doza” mund të jetë e dëmshme dhe gjithnjë duhet biseduar me një specialist mjekësor përpara se të përfshihen në regjimin ditor.
Shëndet më i mirë apo iluzion? Brenda kapsulës së një multivitamine / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.