Nën patronazhin e zëvendës kryeministrit për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai dhe ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Mejdani, sot u zhvillua një ngjarje historike në shkollat fillore “7 Marsi” në Komunën e Likovës dhe “Bajram Shabani” në komunën e Kumanovës.
Kjo ceremoni, thuhet në kumtesë, shënoi shpërndarjen e Abetares së unifikuar shqipe për nxënësit e klasave të para, një moment i rëndësishëm për arsimin shqip në rajon. Për herë të parë, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut ndajnë një abetare të përbashkët, e cila do të shërbejë si një pikë kyçe për forcimin e identitetit kulturor dhe gjuhësor të nxënësve shqiptarë.
Në fjalimin e tij, zëvendës kryeministri Fetai e përshëndeti këtë projekt të suksesshëm, duke theksuar se Abetarja e unifikuar është një mjet i rëndësishëm për afrimin e komuniteteve shqiptare në tre shtetet. Ai shprehu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe rritjen e mundësive për një edukim të barabartë për të gjithë nxënësit shqiptarë.
Ambasadori Mejdani gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet shteteve shqiptare në fushën e arsimit dhe u shpreh krenar për këtë hap të madh drejt unifikimit arsimor.
Ceremonitë u mbajtën në prani të nxënësve, prindërve dhe mësuesve, të cilët festuan me aktivitete kulturore dhe artistike. Kjo ngjarje simbolizon një hap përpara në përpjekjet për të ruajtur dhe promovuar gjuhën dhe kulturën shqiptare përmes edukimit.
Shpërndarja e Abetares së unifikuar përfaqëson një angazhim serioz dhe të fuqishëm të koalicionit VLEN në qeverisje. Unifikimi i abetares shqipe paraqet hap të rëndësishëm për të forcuar themelet e identitetit kombëtar dhe kulturor shqiptar.
Zëvendës kryeministri Fetai dhe ambasadori shqiptar në Maqedoni të Veriut, Mejdani shpërndanë Abetaren e unifikuar për nxënësi e rajonit të Kumanovës appeared first on Telegrafi.