Kryetarja e Partisë Liberal-Demokratike (LDP), Monika Zajkova, ka deklaruar se është e papranueshme të flitet për zgjedhje të reja në kohën kur qytetarët po përballen me rritje të inflacionit, çmimeve dhe vështirësi ekonomike.

“Me vjen sinqerisht keq që vetëm LDP-ja flet për uljen e shpenzimeve joracionale në shtet. Duhet të flasim me fakte – a kemi rritje të inflacionit? Po. A kemi rritje të çmimeve të plehrave artificiale? Po, dhe kjo vërtetohet me raporte zyrtare. Në kushte kur gjendja ekonomike po përkeqësohet për shkak të krizave globale, është e papërshtatshme të flitet për shpenzime që paguhen drejtpërdrejt nga xhepi i qytetarëve”, tha Zajkova.

Ajo vlerëson se është e pajustifikueshme të kërkohen zgjedhje të parakohshme kur shumica qeverisëse në Kuvend ka pothuajse dy të tretat e deputetëve dhe ka mundësi të plotë për të miratuar vendime dhe zgjidhje.

“Qytetarët duhet ta dinë se nëse paga apo pensioni nuk u mjafton deri në fund të muajit, ndërsa bankat vazhdojnë t’i ngarkojnë me tarifa, zgjedhjet e reja do të thonë shpenzime të reja nga xhepi i tyre dhe më pak para në buxhetin e shtetit”, theksoi ajo.
Sipas Zajkovës, qytetarët janë lodhur nga ciklet e shpeshta zgjedhore, të cilat nuk kanë sjellë ndryshime të prekshme, ndërsa shteti është varfëruar dhe institucionet janë bërë më pak funksionale.

“Duhet të marrë fund praktika që e kujtojmë nga koha e Nikola Gruevski, kur zgjedhjet organizoheshin çdo dy vjet, ndërsa në thelb nuk ndryshonte asgjë. Zgjedhjet nënkuptojnë shpenzim të burimeve shtetërore”, shtoi ajo.

Kryetarja e LDP-së theksoi se mandati katërvjeçar duhet të shfrytëzohet plotësisht për punë në interes të qytetarëve.

“Ne jemi këtu për të punuar në interes të qytetarëve. Prioritet duhet të jetë sigurimi i më shumë të ardhurave për familjet, pasi çdo ditë po bëhet më e vështirë blerja e produkteve bazë. Zgjedhjet organizohen mbi kurrizin e qytetarëve. Kur ekziston një shumicë e fortë parlamentare, nuk ka arsye që qytetarët të ngarkohen me kosto shtesë. Kjo do të thotë më pak para në buxhet dhe më pak mundësi për rritjen e pagave dhe pensioneve”, përfundoi Zajkova.

Share.
Exit mobile version