Koalicioni VLEN e konsideron sistemin “Safe City” si një investim të rëndësishëm në sigurinë publike dhe në ndërtimin e një kulture më të përgjegjshme në komunikacion.
VLEN ka sqaruar se gjuha shqipe është pjesë e sistemit, duke siguruar informim të qartë dhe qasje të barabartë për të gjithë qytetarët.
Njoftimi i plotë nga VLEN:
Sot hyn në fuqi sistemi “Safe City”, një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë në komunikacion dhe mbrojtjes së jetës së qytetarëve. VLEN e vlerëson këtë si një investim konkret në sigurinë publike dhe në ndërtimin e një kulture më të përgjegjshme në trafik.
“Safe City” ka për qëllim parandalimin e shkeljeve në komunikacion, uljen e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së çdo qytetari. Ky sistem nuk është krijuar për të dënuar qytetarët, por për të mbrojtur jetën e njeriut dhe për të rritur ndërgjegjësimin për respektimin e rregullave të qarkullimit.
VLEN thekson se është veçanërisht e rëndësishme që gjuha shqipe është pjesë e këtij sistemi, duke garantuar qasje të barabartë dhe informim të qartë për të gjithë qytetarët.
U bëjmë apel të gjithë drejtuesve të automjeteve dhe pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat, sinjalizimin dhe kufizimet e shpejtësisë. Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët.
Respektimi i rregullave nuk është vetëm detyrim ligjor, por kontribut i drejtpërdrejtë për mbrojtjen e jetës sonë, të familjeve tona dhe të çdo qytetari. Një komunikacion më i sigurt do të thotë më pak aksidente, më pak pasoja dhe më shumë jetë të mbrojtura.
VLEN mbetet e përkushtuar ndaj politikave që vendosin në plan të parë sigurinë, jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.

