Nga VLEN në një kumtesë për media thonë se me miratimin e Projektligjit për Lojërat e Fatit nga Qeveria, kanë nisur ofensivën më vendimtare kundër karteleve të lojërave të fatit që sipas tyre, prej vitesh e kanë shndërruar varfërinë e shqiptarëve në valutën e tyre.
Nga VLEN thonë se kanë “trashëguar një shoqëri në të cilën çdo cep, nga rrugët e fshatrave deri në qendrat e qyteteve, ishte i shënuar nga vitrinat ndriçuese të kazinove dhe pikave të basteve”.
“Mbi 7,000 aparate VLT zbrazën pa mëshirë xhepat e qytetarëve tanë, ndërsa qeveria e mëparshme betohej për “zhvillim ekonomik”. Ne po e thyejmë atë rreth vicioz: me këtë ligj, 4,000 aparate do të hiqen, duke e zvogëluar infrastrukturën e lojërave të fatit me të paktën 70%. Ky është vetëm hapi i parë, por i madh drejt një pastrimi të plotë të terrenit. Ligji ndalon reklamat e lojërave të fatit, s’ka më vende agresive që joshin mendjet e të rinjve me premtime verbuese për “fat të shpejtë”. Kazinotë dhe dyqanet e basteve po zhduken nga lagjet ku jetojnë të rinjtë”.
“Po krijojmë një zonë mbrojtëse prej 500 metrash rreth çdo objekti arsimor, në mënyrë që fëmijët të mund të arrijnë pragun e shkollës pa kaluar nëpër një korridor lojërash fati. Gjithashtu po u mbyllim derën licencave lakmitare: që tani e tutje, nuk do të ketë më një licencë për degë të pafundme. Detyrimet tatimore dhe tarifat e licencave po rriten në mënyrë dramatike, dhe çdo përpjekje për të anashkaluar sistemin do të përfundojë me konfiskim dhe përgjegjësi penale”.
“Lufta jonë nuk ndalet vetëm te adresat fizike, po e zgjerojmë atë edhe në internet. Deri më tani, kemi bllokuar më shumë se 200 faqe interneti të paligjshme që janë infiltruar në heshtje në shtëpitë e qytetarëve, duke e shndërruar jetën e tyre private të përditshme në një kazino pa mure”, thonë nga VLEN.
“Kemi filluar të çmontojmë perandorinë e lojërave të fatit që BDI ndërtoi mbi mjerimin e njerëzve. Ky është fillimi i një epoke të re në të cilën VLEN do të mbetet fort në pozicionet e saj derisa kanceri i lojërave të fatit të zhduket plotësisht nga shoqëria jonë”, thonë nga VLEN./Telegrafi/
VLEN: Jemi në ballë të betejës kundër lojërave të fatit, kemi filluar të çrrënjosim të keqen e mbjellë nga BDI appeared first on Telegrafi.