Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski, sot në Kuvend është pyetur në lidhje me fyerjet anti-shqiptare të tifozëve të Vardarit në ndeshjen futbollistike ndaj KF Bashkimit. Toshkovski tha se janë duke ndërmarrë masa për të zbuluar tifozët e “Komitëve” që fyen në bazë etnike në ndeshjen e së shtunës.

Toshkovski tha se MPB-ja është duke siguruar dëshmi dhe është duke identifikuar kryerësit. Ai gjithashtu tha se ka ndjerë neveri kur ka dëgjuar brohoritjet gjatë ndeshjes e për këtë akuzon BDI-në se nuk ka punuar për të përmirësuar gjendjen për njëzet vite në pushtet.

“E neveritshme ndjenja. Është e neveritshme dhe shumë e keqe. Skena të tilla ka çdo kund në botë në ndeshje sportive. Po të vepronit ju në 20 vitet e kaluar nuk do të ishim në këtë gjendje. Kur ju të luftoni për maqedonasit ashtu siç unë luftoj për shqiptarët, qytetarët do të kenë qasje më ndryshe ndaj të gjitha sfidave dhe do të kishim shoqëri të mirë. Ministria po vepron, i identifikon kryerësit, shqyrton argumentet dhe do të veprojë në përputhje me dëshmitë që do t’i sigurojmë”, tha Pançe Toshkovski

Share.
Exit mobile version