Aleanca për Shqiptarët dënon ashpër skandalin me përmbajtje të theksuar nacionaliste dhe gjuhë të urrejtjes që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në qytetin e Kumanovës.

Nga ASH thonë se në një atmosferë që duhej të ishte sportive dhe bashkuese tribunat e palestrës u shndërruan në një skenë të thirrjeve raciste dhe fyerjeve të rënda ndaj shqiptarëve.

“Parulla si ‘Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur’ dhe ‘Dhoma e gazit për shqiptarët’ përfaqësojnë jo vetëm gjuhë fashiste të papranueshme, por edhe një alarm serioz për nivelin e rrezikshëm të urrejtjes që po tolerohet publikisht në vendin tonë. Ajo që e bën këtë ngjarje edhe më shqetësuese është fakti se në momentin e këtyre thirrjeve të turpshme ishin të pranishëm vetë kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski, zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq, si dhe kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, të cilët nuk reaguan asnjë çast për të ndalur gjuhën e urrejtjes që jehonte përreth tyre. Në një shtet funksional dhe demokratik, çdo akt i tillë do të shoqërohej me ndëshkim të menjëhershëm dhe distancim institucional. Fatkeqësisht, në Maqedoninë e Veriut të vitit 2025, kjo gjuhë urrejtjeje tolerohet, injorohet, madje edhe normalizohet nga vetë udhëheqësit shtetërorë. Heshtja e grupimit VLEN përballë kësaj situate skandaloze – ku shqiptarët fyhen publikisht në zemër të Kumanovës, në prani të krerëve më të lartë shtetërorë – nuk është thjesht mungesë reagimi. Është pranim i heshtur dhe pozicionim politik përballë një akti të rëndë diskriminimi. Në këtë mënyrë, VLEN jo vetëm që shmang përgjegjësinë për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve, por vendoset hapur përballë tyre, duke u bërë palë në një bashkëfajësi të turpshme me pushtetin që toleron ose nxit gjuhën e urrejtjes”, thonë nga ASH.

Aleanca për Shqiptarët kërkon reagim nga Qeveria, Federata e Basketbollit dhe organizatorët e ndeshjes, kërkim falje publike ndaj qytetarëve shqiptarë për këtë incident turpërues, hetim të pavarur dhe ndëshkim penal për organizatorët dhe nxitësit e urrejtjes në tribunat sportive, por edhe ndërhyrje nga institucionet ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në, BE-në dhe organizatat për të drejtat e njeriut, për të monitoruar përhapjen e gjuhës së urrejtjes në Maqedoninë e Veriut.

 

Thirrjet në kor “Dhoma gazi për shqiptarët” në Kumanovë, ASH: Ishin të pranishëm por nuk reaguan as Mickoski as Toshkovski ndaj gjuhës së urrejtjes appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version