Ministri Shëndetësisë, Arben Taravari tha se qeveria ka larguar një vendim të qeverisë së kaluar, me të cilën pamundësohej kthimi i mjekëve specializantë të klinikave private, në klinika shtetërore.
Taravari tha se po vijon procedura e kthimit të 10 mjekëve në klinika shtetërore.
“Dmth vlen ligji, që mjekët, vetëm specialistë, farmacist dhe stomatologë, në qoftë se klinika e caktuar mendon se i duhet ai mjek, mund ta marrë, ka pasur interes prej shumë mjekëve. Unë deri tash, te unë janë paraqitur 10 mjekë. Janë në procedurë, vetëm se përgatisim rregulloren në MSH, e cila besoj që për 10 ditë do të jetë e gatshme, dhe do të fillojmë me transferet e disa mjekëve që konsiderojmë se na duhen”, deklaroi Taravari.
Taravari shtoi se përmirësimi i kujdesit shëndetësor për të gjithë qytetarët ka qenë prioriteti kryesor në 100 ditët e fundit.
“Për këtë qëllim, së bashku me ekipin tonë, jemi të përkushtuar në vazhdimësi për plotësimin e nevojave të pacientëve dhe të gjithë faktorëve në sistemin shëndetësor në Maqedoni. Mendoj se lista pozitive është gjëja më e rëndësishme që kemi bërë. Bëhet fjalë për 9 ilaçe të reja gjenerike, pra gjithsej 87 ilaçe në paketa të ndryshme. Kemi realizuar kursime duke hequr drejtorët ekonomikë. Sipas procedurës normale e kemi kaluar më herët në Qeveri, pastaj në parlament, tani në të gjitha klinikat dhe në të gjitha spitalet që kanë mbi 1000 të punësuar, praktikisht kemi një drejtor”, tha Taravari./Telegrafi/
Taravari: Ka interes nga mjekët që punojnë në sektorin privat, të rikthehen në institucionet shëndetësore publike appeared first on Telegrafi.