Deputetja e OBRM-PDUKM-së, Dafina Stojanoska ka akuzuar sot se kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka kërkuar të bëhet pjesë e qeverisë pa kryetar parlamenti dhe me më pak ministri se partneri aktual shqiptar në qeveri, informon Telegrafi Maqedoni.
Ajo ka shtuar se OBRM-PDUKM ishte e vendosur që BDI-në ta dërgojë në opozitë, ndaj edhe ashtu ndodhi.
“Ali Ahmeti thotë se është pajtuar me Presidentin Mickoski një vit më parë për të mbajtur zgjedhje të parakohshme, por nuk po e thotë të vërtetën për takimin në zyrën time, ku i ofroi të bashkohej me Qeverinë, pa kërkuar kryetarin e Kuvendit dhe duke pranuar një vend ministror më pak se sa kërkonte Vlen, vetëm për të qenë pjesë e së njëjtës qeveri. Por ne mbetëm të palëkundur në atë që ishte një mesazh nga populli – se BDI duhet të kalojë në opozitë. Herën tjetër, para se të thotë gënjeshtra, le ta mendojë me kujdes dhe të jetë i përgatitur që ne do ta themi të vërtetën”, u shpreh Stojanoska.
Ndaj kësaj deklarate reaguan nga BDI, duke thënë se Ali Ahmeti nuk ka pasur as takime e as pazare për tu bërë pjesë e Qeverisë.
“Deklarata e deputetes Dafina Stojanovska duket më shumë si një përzierje kujtimesh sesa si një fakt politik. Në gjithë atë lëvizje mes dhjetra banesave që ajo i posedon duket se është ngatërruar se kush ka qenë me kë dhe ku. Një gjë është e sigurt: Ali Ahmeti nuk ka pasur asnjë takim me të, as dhe nuk ka pasur kurrë oferta për hyrje në Qeveri apo pazare politike. Çdo gjë tjetër është përpjekje për sensacion, jo për të vërtetën”, deklaruan nga BDI.
Kritikat dhe akuzat ndërmjet pushtetit dhe opozitës filluan sot pasi me shumicë prej 81 votash u miratua aktivizimi i sistemit “Safe City”, që do të gjobisë shkelësit e rregullave në komunikacion nga data 1 shkurt.
Për këtë ligj pati reagime të ashpra nga opozita shqiptare, duke e cilësuar ligjin si harxhime shtesë për qytetarët dhe sistemin si antikushtetues dhe diskriminues, pasi i njejti momentalisht do të zbatohet vetëm në tre qytete dhe jo në gjithë territorin e vendit. /Telegrafi/
