Sot (11.08.2025) Drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev, zhvilloi një takim me udhëheqësinë e SPB Tetovë, ku u shqyrtuan në detaje të gjitha rrethanat dhe masat e marra pas incidentit të armatosur të djeshëm, në të cilin humbi jetën një person dhe u plagosën katër persona.
“Dua që qytetarët e Tetovës dhe të rajonit ta dinë se policia është plotësisht e mobilizuar dhe e përkushtuar. Po ndërmerren aktivitete për të garantuar dhe ofruar siguri. Nuk do të lejojmë që frika dhe dhuna e individëve të prishin sigurinë dhe qetësinë e përditshme në komunitet. Në të njëjtën kohë, u them autorëve të krimit dhe të gjithë atyre që mendojnë se mund t’i zgjidhin mosmarrëveshjet me armë se do të gjenden, do të nxirren para drejtësisë dhe do të ndëshkohen.
Policia ka vënë në funksion të gjitha shërbimet e nevojshme për të kapur të gjithë të përfshirët në këtë incident”, tha Drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Janev, duke shtuar se siguria është vlera jonë e përbashkët.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tetovës dhe në të gjithë vendin që të bashkëpunojnë me policinë, të raportojnë informacione dhe së bashku të ndërtojnë një mjedis në të cilin nuk ka vend për krim dhe dhunë. Vetëm së bashku mund të qëndrojmë kundër individëve dhe grupeve që nuk ndajnë të njëjtat vlera me ne njerëzit e ndershëm”, theksoi Janev.
Ai shtoi se Maqedonia dhe të gjithë qytetarët meritojnë paqe dhe qetësi, dhe policia është këtu për ta ofruar atë./Telegrafi/
SPB Tetovë: Nuk do të lejojmë që dhuna e individëve të prishë sigurinë dhe qetësinë e shoqërisë appeared first on Telegrafi.