Policia e Shtetit të Shqipërisë njofton se ka kryer një operacion të koduar “Operacionalja”, në të cilën është ndaluar një shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili kërkohej nga Interpoli i Shkupit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“I kërkuar për tri vrasje në Maqedoninë e Veriut, lokalizohet dhe kapet në Tiranë, 52-vjeçari.

52-vjeçari fshihej prej kohësh në Tiranë, duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara, në emër të një shtetasi nga Kosova. Lokalizimi i tij, pas disa muajsh hetime dhe kërkime nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

52-vjeçari me masë sigurie “Arrest në burg”, për vrasje (maksimumi i dënimit për këtë vepër në Kodin Penal të RMV, burgim i përjetshëm).Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar në informacionet e siguruara gjatë një kohe të gjatë hetimi dhe gjurmimi, për lokalizimin dhe kapjen e një të kërkuari për vrasje të trefishtë në Maqedoninë e Veriut, është zhvilluar dhe finalizuar faza e 80-të e operacionit policor të koduar “Operacionalja”.

Në kuadër të kësaj faze, shërbimet operacionale lokalizuan në zonën e Liqenit të Thatë, kapën dhe shoqëruan shtetasin e dyshuar për tri vrasje.Nga verifikimi i thelluar rezultoi se shtetasi i shoqëruar, i cili përdorte dokumente identifikimi dhe leje për drejtim të automjetit, të falsifikuara, me emër të një shtetasi nga Kosova, ishte person i shpallur në kërkim nga Maqedonia e Veriut, i akuzuar për vrasje të trefishtë.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin, i shtetasit B.SH., 52 vjeç, banues në Kopanica, Saraj, Maqedoni e Veriut. Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi Interpol Shkupi e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Shkupit, në vitin 2007, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, vepër për të cilën legjislacioni penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënim maksimal, burgim të përjetshëm.

Ky shtetas dyshohet se më datë 05.10.2007, në fshatin Kopanica, Shkup, Maqedoni e Veriut, ka vrarë me armë zjarri, 3 shtetas.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, këtij shtetasi i janë gjetur dhe sekuestruar 1 pasaportë kosovare, kartë identiteti kosovare dhe leje për drejtim të automjetit, të falsifikuara, me gjenealitetet e një shtetasi nga Kosova.

Materialet procedurale, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Shkupin, do të vijojë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftimin e policisë së Shtetit të Shqipërisë./Telegrafi/

Share.
Exit mobile version