Gjatë takimit, zv. kryeministri i parë Bekim Sali zhvilloi një bisedë konstruktive me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Mejdani, ku u diskutua për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
“Në fokus të veçantë të bisedës ishte projekti One Stop Shop, i cili përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave, si dhe rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Të dy palët vlerësuan pozitivisht implementimin e këtij projekti, duke theksuar rëndësinë e tij për zhvillimin rajonal dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët”, njoftojnë nga Kabineti i zv. kryeministrit Sali.
Po ashtu, shtojnë nga atje, u diskutua për iniciativa të tjera të përbashkëta, bashkëpunimin institucional dhe koordinimin në kuadër të proceseve integruese evropiane./Telegrafi/

