Edhe pse kamerat e sigurisë nga sistemi “Safe City” janë vendosur, në rrugët e Tetovës dhe bulevarde, nuk ka shenja paralajmëruese për kamera apo radar për matje të shpejtësisë, që janë parakusht për funksionimin e kësaj aparature dhe dënimin e vozitësve.
Zëvendës kryetari Albi Qamili, thotë se tenderi për furnizime me sinjalizimin horizontal dhe vertikal është mbyllur dhe është përzgjedhur kompania.
“Në fillim të këtij muaji menjëherë është hapur prokurimi publik për vendosjen e sinjalistikës ndriçuese, sinjalistikës vertikale pra të semaforëve dhe shenjave të komunikacionit. Është zgjedhur kompania dhe tani jemi në fazën e ankesave dhe besoj se nga fillimi i muaji të ardhshëm do të fillojë realizimi apo vendosja e shenjave ku do të vendosen edhe shenja të komunikacionit për matjen e shpejtësisë që korespondon me sistemin “Safe City” i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt. Do të ketë edhe shenja paralajmëruese se ka kamera dhe krahas kësaj do të vendosen edhe semafor të rinj, ndërkaq, pjesë e këtij prokurimi publik janë edhe renovimet e semaforëve ekzistues.”, tha Qamili.
Kujtojmë se zbatimi i sistemit Safe City do të filloj nga 1 shkurti, me ç’rast shoferët që bëjnë shkelje në komunikacion do të gjobiten.
