
Integrimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian mund të përshpejtohet nëse zbatohen reformat dhe miratohen ndryshimet kushtetuese, kështu vlerëson ambasadori i BE-së, Michalis Rokas, për TVM, duke theksuar se momenti gjeopolitik është i favorshëm dhe mundësia për progres është real.
Rokas shpreson që vendi ta shfrytëzojë këtë moment për t’u afruar më shpejt drejt anëtarësimit.
“Prandaj mendoj se procesi do të përshpejtohet më së miri tani me zbatimin e reformave. Pse e them këtë? Sepse, në periudhën e paqëndrueshmërisë gjeopolitike në të cilën gjendemi dhe me të gjitha sfidat me të cilat përballet Evropa, do të jetë shumë e vështirë të vendoset një pengesë e re nëse reformat zbatohen në mënyrë cilësore. Sipas kësaj, dhe të gjithë e dimë, edhe ju shumë mirë, një hap është i nevojshëm: ndryshimet kushtetuese, që pastaj të ecim drejt kapitullit të ri të marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian. Më e rëndësishmja është që ne jemi të përgatitur për këtë. Po presim, dhe së bashku me ju duam të ecim më shpejt drejt integrimeve evropiane. Tani mundësia është reale. Shpresoj se do ta pranojmë dhe do të ecim më shpejt së bashku”, tha Rokas.
Për Maqedoninë, anëtarësimi në Bashkimin Evropian nënkupton qasje më të hapur drejt fondeve kohezive evropiane.
Rokas thekson se anëtarësimi i Maqedonisë në SEPA është përfitimi më i fundit evropian, që pritet të sjellë rritje ekonomike, ndërsa BE mbetet investitori kryesor në vend.
Ai rikujton se, pas një pritjeje të gjatë, hapja e kapitujve me Brukselin varet nga plotësimi i kushteve të kërkuara.





