Deputetja e BDI-së Rina Ajdari, sot në konferencë për shtyp e akuzoi VLEN-in se janë instrument në shërbim të OBRM-PDUKM-së.
Ajo tha se arsyeja pse OBRM-PDUKM nuk nxjerr kandidat në komunat me shumicë shqiptare është sepse siç tha, kandidatët e saj tashmë garojnë nën logon e VLEN-it.
“Ata nuk kanë asnjë legjitimitet shqiptar, janë vetëm emisarë të një politike antishqiptare, e cila ka ndërruar kostumin, por jo qëllimin: të kthejë shqiptarët në periudhën para vitit 2001. Nuk është rastësi që kjo qeveri, në vetëm pak më shumë se një vit: e solli në zero punësimin e shqiptarëve në administratën shtetërore, inicoi shfuqizimin e plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe, hapi idenë e heqjes së votimit me Badinter dhe solli “botën serbe” me uniforma ushtarake në mes të Shkupit”, tha Ajdari.
Ajo tha se në çdo komunë ku del kandidat i VLEN-it, është OBRM-PDUKM-ja që fshihet pas tij.
“E njëjta gjë vlen edhe për Levicën – një parti që shpesh ka treguar qëndrime më radikale se vetë OBRM-PDUKM. Ky bashkëpunim nuk është vetëm taktikë zgjedhore, por strategji e përbashkët për të kontrolluar shqiptarët dhe për të penguar avancimin tonë politik e kombëtar. Sot po shohim përpjekje për të relativizuar edhe historinë e lavdishme të vitit 2001 – periudhën e kthesës historike për popullin shqiptar në këtë vend. Këto politika i ngjajnë politikave të fundviteve 80’, ku sistemi i atëhershëm promovonte të drejta për të gjithë përmes përfaqësuesve “të ndershëm” pa legjitimitet, e në veçanti për shqiptarët. Epilogun të gjithë e dijmë se çfarë ndodhi”, tha Ajdari.