Ambasada e Kosovës në Shkup po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me thirrjet antishqiptare nga tifozët gjatë ndeshjes së basketbollit në Kumanovë midis Maqedonisë dhe Rumanisë. Në një përgjigje zyrtare, Ambasada i dënon ashpër këto thirrje, të cilat, sipas tyre, janë bërë shumë të zakonshme në stadiumet në vend dhe kanë një ndikim shumë negativ.
Nga Ambasada e Kosovës e vlerësojnë pozitivisht qëndrimin e fortë dhe të drejtpërdrejtë të kryeministrit të RMV-së, Hristijan Mickoski, si dhe faktorit politik shqiptar në Qeveri, të cilët, siç thonë ata, e dënuan ashpër këtë incident.
“Një element shumë premtues në këtë drejtim është aktivizimi i shpejtë i Prokurorisë për të hetuar rastin. Ambasadori Florian Qehaja shpreh shpresën se autorët e këtyre brohoritjeve do të marrin dënime të përshtatshme ligjore, të cilat do të krijojnë një precedent të rëndësishëm për ndëshkimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Kosovës.
Ndaj thirrjeve nacionaliste reagoi edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Në një deklaratë, Osmani tha se thirrjet antishqiptare shkelin frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, të cilat, sipas saj, duhet të jenë baza e çdo shoqërie demokratike me aspirata evropiane./Telegrafi/
Reagon Ambasada e Kosovës në Shkup: Presim ndëshkimin e autorëve të thirrjeve nacionaliste në Kumanovë appeared first on Telegrafi.