Në një periudhë pasigurie gjeopolitike, inflacioni të lartë dhe mosbesimi në rritje ndaj sigurisë digjitale, shërbimi i vjetër bankar, marrja me qira e kasafortave po rikthehet sërish në fokusin e klientëve në Maqedoninë e Veriut, shkruan mediumi për çështje financiare dhe ekonomike Bloomberg Adria.
Edhe pse për dekada me radhë konsiderohej si shërbim i rezervuar për një rreth të vogël klientësh, sot po përdoret gjithnjë e më shpesh nga qytetarë që duan t’i mbrojnë fizikisht sendet e tyre më të çmuara: para të gatshme, stoli, ar, dokumente të rëndësishme, testamente, madje edhe mbajtës digjitalë me të dhëna të ndjeshme.
Bankat, nga ana e tyre, në heshtje vërejnë rritje të kërkesës, veçanërisht pas krizave të viteve të fundit, pandemisë, luftës në Ukrainë dhe rritjes së normave të interesit, të cilat kanë shtuar prirjen drejt “sigurisë materiale”.
“Interesi i qytetarëve për këtë shërbim është mjaft i lartë, veçanërisht vitet e fundit kemi vërejtur rritje të interesit”, thonë nga Hallkbank.

