Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot nënshkroi marrëveshje me 49 komuna për përdorimin e përhershëm pa kompensim të sistemeve të avancuara për pastrim të ajrit nga prodhuesi i njohur gjerman MANN+HUMMEL, me vlerë totale prej 1,000,000 euro.

Siç thonë nga Qeveria, kjo nismë është pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe për të zvogëluar pasojat nga ndotja e ajrit, veçanërisht në objektet publike ku qëndrojnë kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve, fëmijët dhe të rinjtë.

“Pastruesit e ajrit do të instalohen në shkolla fillore dhe të mesme, kopshte për fëmijë dhe institucione të tjera publike në territorin e 49 komunave, të identifikuara si më të rrezikuarat sipas të dhënave nga Sistemi shtetëror për monitorimin automatik të cilësisë së ajrit për periudhën 2022–2024”.

“Pastruesit e ajrit të markës MANN+HUMMEL janë sisteme mobile shumë efikase të projektuara për të eliminuar deri në 99.995% të viruseve, baktereve dhe mikroorganizmave, falë filtrave të çertifikuar HEPA H14 sipas standardeve EN 1822 dhe ISO 29463. Këto pajisje janë të destinuara për përdorim në klasa, kopshte për fëmijë, ordinanca mjekësore, spitale dhe zyra, ku ato sigurojnë qarkullim të vazhdueshëm të ajrit të pastruar dhe zvogëlojnë ndjeshëm mundësinë e përhapjes së infeksioneve”, thonë nga Qeveria.

Më tej shtojnë se analiza e të dhënave tregon se grimcat e pezulluara PM10 dhe PM2.5 janë ndotësit më kritik, me përqendrime të matura që vazhdojnë të tejkalojnë vlerat kufitare të përcaktuara për mbrojtjen e shëndetit njerëzor.

“Megjithatë, falë masave të ndërmarra nga institucionet në nivel qendror dhe lokal, vërehet një trend pozitiv i uljes së përqendrimeve dhe në pika të caktuara matëse vlerat mesatare vjetore janë tashmë nën kufijtë e lejuar (40 μg/m³).Qeveria mbetet e përkushtuar për zbatimin e programit gjithëpërfshirës për përmirësimin e cilësisë së ajrit për periudhën 2024–2030. Suksesi i këtij programi varet nga përpjekjet e përbashkëta të të gjitha institucioneve, komunave dhe qytetarëve”, theksojnë më tej nga Qeveria.

Qeveria u siguron pastrues të ajrit 49 komunave me qëllim të përmirësimit të cilësisë së ajrit appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version