Dy sindikatat që funksionojnë në Ndërmarrjen Publike Parqe dhe Gjelbërime dhe në dy kompani FloraKom dhe Luna, në protesta të ndara në rrugën Ilindenska në Shkup, të vendosura rreth një kilometër larg njëra-tjetrës, kërkuan rrogën e gushtit. Sindikalistët, që kanë të njëjtin problem, por nuk duan të shihen mes vete, paralajmërojnë se vonesa 14-ditëshe do të shkaktojë edhe probleme të tjera për punonjësit.
“Pas dy ditësh, punonjësit do të mbeten, nëse nuk paguhet rroga e gushtit, edhe pa sigurim shëndetësor, që është edhe më e frikshme, sepse një pjesë e madhe e punonjësve kanë nevojë për medikamente dhe terapi të rregullt për të sëmurët kronikë”, tha Stojançe Kashikovski, kryetar i Sindikatës së degës për veprimtari komunale – Sutkoz.
Nga sindikata rivale, që është përfaqësuese para pushtetit, shtojnë se nuk është vetëm rroga problem. Nuk respektohet as marrëveshja për pagesën e shtesave të rrogës.
“Por nuk është vetëm kjo. Kemi edhe obligime sipas Ligjit dhe Marrëveshjes Kolektive – duhet të paguhet shpërblimi për ata që shkojnë në pension, pastaj regresi, K-15, shpërblimet jubilare. Deri më tani fare nuk janë paguar. Jo tani nga ky përbërje, por historikisht prapa, qëkur ekziston NP Parqe dhe Gjelbërime, FloraKom dhe Luna, nuk janë paguar këto shtesa në rrogë”, u shpreh Goran Ristevski, kryetar i Sindikatës së degës – Sindikata e Pavarur e Administratës Shtetërore.
Por, problemi i vërtetë i NP Parqe dhe Gjelbërime është se ajo nuk ka mjete burimore për financim. Që nga themelimi, ato financohen nga përqindja që ndahet nga pagesa e mbledhur për ujin e konsumuar. Aktualisht për Parqe dhe Gjelbërime mujore transferohen 20 milionë denarë, ose 240 milionë në vit, megjithëse për rrogat e rreth 600 punonjësve dhe 200 sezonalëve nevojiten 480 milionë. I gjithë programi i punës, pra shpenzimet totale të firmës që i miraton Këshilli i Qytetit të Shkupit, arrijnë 800 milionë denarë.
“Mendojmë se ka në fqinjësinë tonë shembuj të mirë se si mund të financohet kjo ndërmarrje, nuk duhet të shpikim ujë të ngrohtë, mjafton t’i kopjojmë ato zgjidhje që të mos ndodhë më që punëtorët të dalin në rrugë për të realizuar të drejtën e tyre për rrogë”, u shpreh Stojançe Kashikovski, kryetar i Sindikatës së degës për veprimtari komunale – Sutkoz.
Zgjidhja që propozohet është që NP Parqe dhe Gjelbërime, për çdo punë të kryer, t’i dërgojë faturë Qytetit të Shkupit, me çka do të zgjidhen të gjitha problemet, ashtu siç u zgjidhën në Beograd, Serbi, ku një ndërmarrje e tillë është një nga më të pasurat. Për më tepër, në njërën nga protestat u tha se Këshilli i Qytetit të Shkupit para një muaji e gjysmë ka miratuar subvencione në shumën prej 80 milionë denarësh, por se pavarësisht punës së kryer për mirëmbajtjen e gjelbërimit të qytetit, Qyteti i Shkupit nuk i ka paguar faturat e dorëzuara. Për këtë problem, sot drejtuesit e firmës biseduan me përfaqësues të Qytetit të Shkupit.