Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu tha se projektligji i ri për mbrojtje nga duhani parasheh masa për rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe mbështetje për ndërprerjen e varësisë. Sipas tij, mesazhi që po e dërgojmë është se sistemi u ndihmon duhanpirësve të heqin dorë nga duhani, pa u stigmatizuar.
Ai sqaroi se parashihen obligime ligjore për zbatimin e programeve parandaluese për lënien e duhanit, këshillime dhe edukime, si dhe mbështetje e gjithanshme gjatë procesit të largimit nga kjo varësi.
“Varësia nga nikotina paraqet problem mjekësor dhe të shëndetit publik. Është e dëshmuar se parandalimi është më efektiv dhe më pak i kushtueshëm se trajtimi, prandaj qëllimi kryesor i këtij ligji nuk është ndëshkimi, por parandalimi i pasojave të dëmshme nga duhanpirja”, deklaroi Aliu.
Njëkohësisht, në kuadër të dispozitave ligjore janë përcaktuar qartë inspektoratet përgjegjëse, sanksionet për mosrespektim, si dhe roli i autoriteteve lokale në zbatimin e ligjit.

