Me kapacitetin për të skanuar qindra artikuj postarë në minutë duke përdorur inteligjencën artificiale, një skaner i instaluar në Zyrën Doganore të Postës së Maqedonisë së Veriut do të ndihmojë në zbulimin e armëve të zjarrit, drogës dhe eksplozivëve.
Skaneri postar, i cili u prezantua sot në një aktivitet zyrtar, është donacion nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, si pjesë e projektit Hermes 2, i cili synon të parandalojë trafikimin e paligjshëm të armëve të zjarrit dhe eksplozivëve përmes artikujve postarë në Ballkanin Perëndimor.
“Skaneri postar ka një rëndësi të madhe në luftën e përbashkët kundër terrorizmit, duke parandaluar përhapjen e armëve të vogla dhe të lehta dhe trafikimin e paligjshëm të drogës. Këtë vit, mbi 100 mijë dërgesa kaluan nëpër zyrën doganore të Postës, ku është instaluar skaneri, gjë që flet për rëndësinë që kjo pajisje do të ketë në kontrollin e dërgesave postare. Në këtë mënyrë, shërbimet do të drejtohen për të kryer kontrolle në kohë dhe të sakta të dërgesave të dyshimta”, tha Drejtori i Doganave, Boban Nikolovski.
Në këtë aktivitet folën edhe Kiro Cvetkov nga Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin dhe Drejtori i Postës së Maqedonisë së Veriut, Orhan Kurtishi.
Kurtishi shprehu mirënjohje të veçantë për trajnimin që kanë kaluar shërbimet që do të punojnë në skaner, duke theksuar rëndësinë e skanerit në zbulimin në kohë të dërgesave me substanca të ndaluara.

