Komunat duhet të bëjnë ribalancin e buxhetit dhe ndryshime në Planin për furnizimet publike, pas së cilës menjëherë mund të hapin procedurat për zgjedhjen e kontraktorëve të projekteve me të cilat kanë aplikuar për përdorimin e fondeve nga thirrja e dytë nga kredia hungareze, theksoi sot ministri për Vetëqeverisje Lokale, Zllato Perinski.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se kur komunat do të mund të përdorin paratë nga thirrja e dytë, për të cilën disa ditë më parë kryetarët e komunave nënshkruan marrëveshje me ministrat në Qeveri, Perinski theksoi se afati për implementim nuk mund të parashikohet në këtë moment.
“Kemi projekte të cilët janë në nivel më pak se një milion denarë, por, kemi edhe projekte që janë mbi 150 milionë denarë dhe dinamika e kryerjes së punëve, vërtetë varet shumë nga madhësia e projektit. Pres dhe është në interes të qytetarëve dhe të vetë kryetarëve të komunave, që dinamika nga thirrja e dytë të realizohet në përputhje me rrethanat, në mënyrë të ngjashme me atë si është realizuar implementimi i mjeteve nga thirrja e parë”, tha Perinski.
I pyetur se sa projekte janë realizuar nga thirrja e parë nga kredia hungareze, Perinski u përgjigj se më shumë se gjysma e projekteve të para të paraqitura nga thirrja e parë janë realizuar.
Ministri pret që këto projekte të japin një ndikim pozitiv në cilësinë e jetës së qytetarëve. Bëhet fjalë për një shumë prej mbi 19 miliardë denarësh, ndërsa numri i përgjithshëm i projekteve është 1.116.
Kryeministri Hristijan Mickoski më 17 korrik, kur u nënshkruan marrëveshjet për projektet për përdorimin e fondeve nga thirrja e dytë e kredisë hungareze, tha se me rreth 14 miliardë denarë ose 225 milionë euro do të financohen 828 projekte në komunat.
Pjesa më e madhe e projekteve (589) janë nga fusha e transportit, për të cilat do të ndahen mbi tetë miliardë denarë, pas çka pasojnë projektet nga fusha e mjedisit (143), për të cilat do të investohen mbi 2,4 miliardë denarë, arsimi (48), për të cilat do të investohen 1,6 miliardë denarë, ndërsa ka edhe projekte në fushat e kulturës, sportit dhe politikës sociale.
Perinski: Realizimi i projekteve nga thirrja e dytë fillon pasi komunat të bëjnë ribalancin e buxhetit appeared first on Telegrafi.