Propozim-ndryshimet në Ligjin për vetëqeverisje lokale, me të cilat, ndër të tjera, parashikohet përmes referendumit revokim i kryetarit të komunës dhe futje e të ashtuquajturës polici në nivel të komunës sot e kaluan filtrin parlamentar të Komisionit amë për vetëqeverisje lokale.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zlatko Perinski, theksoi se ndryshimet u bënë përmes një procesi gjithëpërfshirës, ndërsa në përpunimin ishin të përfshirë ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë.

Ndryshimet kryesore kanë të bëjnë me transparencën dhe llogaridhënien e kryetarëve të komunave, këshillave dhe shërbimeve në komuna, ndërsa synojnë gjithashtu parandalimin e korrupsionit dhe digjitalizimin e shërbimeve komunale.

“Si bazë në procesin e krijimit të zgjidhjeve, marrim raportin e Komisionit të Venedikut të Këshillit të Evropës nga viti 2019 me titull Raport për revokimin e kryetarëve të komunave dhe përfaqësuesve të zgjedhur lokal. Ky dokument, i cili u miratua në sesionin e 65-të të Këshillit për Zgjedhje Demokratike dhe në sesionin e 119-të plenar të Komisionit, është një dokument i rëndësishëm me standarde që pasqyrojnë qasjen evropiane ndaj çështjes së demokracisë lokale. Kjo është pikërisht një nga sfidat më të mëdha të zgjidhjes aktuale ligjore, e cila është mungesa e një mekanizmi llogaridhënieje për kryetarët e komunave. Edhe pse ata zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët, ligji aktual nuk parashikon një mënyrë për të filluar një procedurë për besimin ose shkarkimin e tyre para përfundimit të mandatit të tyre”, tha Perinski.

Kjo dispozitë ligjore, siç theksoi, është hartuar me kujdes në mënyrë që mos të keqpërdoret.

Një pjesë e propozim-vendimeve ligjore është edhe ulja e pragut për një iniciativë qytetare për të miratuar një akt të nevojshëm ose për të zgjidhur një çështje brenda kompetencës së komunës, ndërsa informacionet për punën e Këshillit, komuna duhet t’i publikojë publikisht në ueb faqen e tyre ose në mediat e tyre të tjera publike.

Në kuadër të komunës do të formohen edhe njësi organizative për rendin komunal dhe mbikëqyrjen inspektuese, ndërsa në komunat me seli në qytete, kryetari i komunës do të mund të emërojë edhe një arkitekt kryesor të qytetit.

“Qëllimi është të avancohen ato aspekte që janë dëshmuar si të nevojshme për një menaxhim më efikas dhe të koordinuar në nivel lokal”, tha Perinski.

Procedura për ndryshimet ligjore filloi në tetor të vitit të kaluar, ndërsa nga dhjetori deri në shkurt u organizuan katër punëtori konsultative publike, pas të cilave Propozim-vendimi ligjor i përpunuar iu dorëzua ENER-it dhe më pas kaloi në seancë qeveritare.

Perinski: Ndryshimet në Ligjin për vetëqeverisje lokale kanë kaluar në komisionin amë në Kuvend appeared first on Telegrafi.

Share.
Exit mobile version