Komunat në fillim të vitit të ardhshëm do të marrin një bazë të përditësuar të të dhënave për detyrimet tatimore të qytetarëve dhe bizneseve. Premtimi u dha sot nga ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Pirinski, gjatë promovimit të Qendrës Burimore për Mbështetje dhe Zhvillim të Komunave. Ai theksoi se pushteti lokal duhet t’i forcojë kapacitetet për grumbullimin e të ardhurave vetanake.

Sipas Pirinskit, derisa disa kryetarë komunash arrijnë të realizojnë deri në 100% të të ardhurave nga burimet e tyre, ka edhe komuna që “vite të tëra nuk kanë lëshuar asnjë vendim tatimor”, ndërsa njëkohësisht kërkojnë ndihmë financiare nga qeveria qendrore.

“Me fillimin e vitit 2026 do t’u dorëzojmë komuna­ve baza të përditësuara të të dhënave për tatimpaguesit, që të mund t’i rrisin të ardhurat e tyre. Do t’u japim dorë sërish, do t’i ndihmojmë të azhurnojnë të dhënat. Por ata që nuk do të veprojnë, më pas do të kenë kufizime në mbështetjen që mund ta marrin nga buxheti qendror. Nuk mund të kërkojnë para nga ‘vëllai i madh’ nëse vetë nuk i mbledhin të ardhurat që u takojnë”, deklaroi Pirinski për media.

Ai shtoi se llogaridhënia për të ardhurat e parealizuara nuk është çështje e qeverisë, por e qytetarëve dhe institucioneve mbikëqyrëse si Policia Financiare.

Sipas analizës së “Finance Think” për realizimin e buxheteve komunale në vitin 2024, realizimi mesatar i të ardhurave është 87.5%, ndërsa i shpenzimeve 86.2%. Megjithatë, disa komuna kanë realizim shumë të ulët të të ardhurave vetanake, sidomos nga tatimi mbi pronën.

Share.
Exit mobile version