Pothuajse 70 për qind e të burgosurve, pas vuajtjes së dënimit kanë përfunduar përsëri në burg. Edhe pse këto janë të dhëna për vitin 2023, drejtori i Entit për Shqiptimin e Sanksioneve Aleksandar Pandov thotë se risocializimi është pothuajse i padukshëm në burgjet e vendit. Një nga problemet kryesore, sipas tij, është mungesa e stafit për të punuar me të burgosurit në këtë pjesë.
“Rreth 67, 68 për qind e të burgosurve në Maqedoni janë të kthyer. Kjo do të thotë se nuk kemi aspak ose kemi shkallë shumë të ulët të risocializimit. Do ta marr përsëri shembullin e burgut të Idrizovës, përkatësisht, mendoj se në departamente të caktuara kemi disa qindra të burgosur që të shërbejë një person për risocializim. Ka standarde, duhet të jetë nga 30 deri në 50″, deklaroi Aleksandar Pandov- drejtor i Entit për shqiptimin e sanksioneve.
Ndërkohë që përgatitet ligj i ri për shqiptimin e sanksioneve, ekspertët thonë se përveç përmirësimit të kujdesit shëndetësor të të dënuarve, do t’i kushtohet vëmendje edhe risocializimit përmes trajnimit për njerëzit që punojnë me ta.
“I kemi kushtuar vëmendje të madhe të drejtave të të burgosurve, nga aspekti i arsimit, nga aspekti i kujdesit shëndetësor, nga aspekti i së drejtës për punë, dhe e gjithë kjo është në pajtim me ndryshimet në Ministrinë e Arsimit, ndryshimet në fushën e shëndetësisë. Vëmendje e veçantë iu kushtua trajnimit të të gjithë punonjësve si në administratë ashtu edhe në sistemin e burgjeve, sepse rritja e asaj që unë do ta quaja kompetencë apo njohje me standardet evropiane është proces i vazhdueshëm”, tha Goradana Llazetiq, profesoreshë e së drejtës penale.
Pavarësisht trajnimit të paralajmëruar, akoma mungon staf në fushën e risocializimit. Pandov thotë se pas zgjedhjeve, në burgun e Idrizovës, do të punësohen rreth 10 persona. /Alsat/